Sante Plus Tirana
Dërguar nga:

Fertilizimi In Vitro

Perpara se te flasim për fertilizimin in vitro (ose ndryshe fekondim in vitro, IVF, FIV) duhet te kuptojme se cfare eshte infertiliteti.

Çfarë është infertiliteti?

Infertiliteti përkufizohet si pamundësia e një cifti për të arritur një shtatzani pas 12 muajve të kontakteve seksuale të pambrojtura. Infertiliteti është një sëmundje e sistemit riprodhues që çrregullon funksionin më bazik të njeriut: riprodhimin.

Koncepsioni (ngjizja) është një process i komplikuar që varet nga shumë faktorë: në prodhimin e një spermatozoidi të shëndetshëm nga mashkulli dhe një ovociti (veze) të shëndetshëm nga femra; tubat e fallopit të jenë permeabël duke lejuar takimin e spermatozoidit me ovocitin; aftësia e spermatozoidit për të fertilizuar ovocitin pas takimit me të; aftësia e ovocitit të fertilizuar (embrionit) për tu implantuar në uterusin (mitrën) e femrës dhe së fundmi një embrion me cilësi të mirë.

Nga ana tjetër, që shtatzania të shkojë deri në term (9 muaj), embrioni duhet të jetë i shëndetshëm, mitra të mos jetë e prekur nga anomali të lindura apo të fituara (miomat psh) dhe femra shtatzanë të ketë një ekulibër hormonal sa më normal. Kur një nga këta faktorë është defektoz atëherë kemi infertilitet.

Cilat janë shkaqet e infertilitetit?

Infertiliteti mashkullor dhe ai femëror përfaqësojnë secili 25% të rasteve të cifteve infertilë. Në 25% e rasteve me infertilitet kemi të bëjmë njëkohësisht me faktorë mashkullorë dhe femërorë. Ndërkohë që në 25% të rasteve nuk është e mundur të identifikohet një shkak i mundshëm; këto raste klasifikohen në infertilitetin idiopatik (të pashpjegueshëm).

Shkaqet më të shpeshta të infertilitetit mashkullor përfshijnë azosperminë (mungesën e spermatozoideve në ejakulat) dhe oligosperminë (prania më pak se norma e spermatozoideve në ejakulat). Në disa raste kemi formim të spermatozoideve por ato janë anormalë ose vdesin përpara takimit me ovocitin (vezën). Në disa raste të tjera, infertiliteti mashkullor mund të jetë pasojë e një sëmundje gjenetike si psh. Fibroza kistike ose anomalitë kromozomiale.

Faktori më i shpeshtë që shkakton infertilitet femëror është disfunksioni ovulator. Të tjerë faktorë të infertilitetit femëror janë dëmtimet e tubave të fallopit (që mund të ndodhin për shkak të infeksioneve pelvike ose të endometriozës). Anomalitë uterine kongenitale (septum, uterusi bikorn, uterusi unikorn etj) dhe fibro-miomat (tumore beninje të uterusit) shoqërohen me aborte të përsëritura.

Si diagnostikohet infertiliteti?

Sic e thamw edhe mw lart, kemi të bëjmë me infertilitet në rast se një cift nuk arrin shtatzaninë pas 12 muajve seks të pambrojtur. Në këtë rast këto cifte duhet të drejtohen tek një mjek që merret me trajtimin e infertilitetit (NB, Jo të gjithë gjinekologët kanë eksperiencën e duhur në këtë drejtim dhe jo të gjithë merren me inferrtilitetin).

Kërkimi i shkaqeve fillon që nga vlerësimi i jetës seksuale të ciftit (në se kanë kontakt në mënyrë të rregullt apo jo) deri në kërkimin e analizave apo testeve të ndryshme të detyrueshme për vlerësimin e potencialit fertil individual.

Analizat dhe procedurat diagnostike që i rekomandohen femrës janë të renditura si vijon:

  • Ekografia transvaginale – për të vlerësuar gjendjen e mitrës dhe vezoreve
  • Profili hormonal – për të vlerësuar hormonet që ndikojnë në ovulacion.
  • Kurba mujore e temperaturës trupore – për të vlerësuar në se ka ndodhur ovulacioni.
  • Histerosalpingografia – për të vlerësuar kavitetin e mitrës dhe kalueshmërinë e tubave.
  • Laparoskopia – për të vlerësuar kalueshmërinë e tubave dhe praninë ose jo të ndonjë patologjie që mund të interesojë mitrën, vezoret apo tubat nga jashtë.

Analizat dhe procedurat diagnostike që i rekomandohen mashkullit janë të renditura si vijon:

  • Ekzaminimi manual – për të vërtetuar praninë e testikujve në skrotum.
  • Ekografia skrotale – për të vlerësuar dimensionet dhe strukturën e testikujve dhe për të diagnostikuar ndonjë varikocelë (zgjerim venoz) i cili mund të shkaktojë dëmtime në prodhimin e spermës.
  • Profili hormonal – për të vlerësuar hormonet që ndikojnë në spermatogjenezë (prodhimi i spermës).
  • Spermiograma – për të vlerësuar përqëndrimin, lëvizshmërinë dhe morfologjinë e spermatozoideve në spermë.
Si trajtohet infertiliteti?

Trajtimi i infertilitetit duhet të fillojë vetëm pasi janë hetuar të dy partnerët. Në shumë klinika jo të specializuara fillohet trajtimi pa u plotësuar në mënyrë të plotë protokolli diagnostik. Në një pjesë të mirë të rasteve trajtimi është i mundshëm pas identifikimit të faktorit që mund të ketë shkaktuar infertilitet. Në këto raste ky trajtim mund të jetë me anë të medikamenteve të ndryshme ose përmes teknikave të ndryshme kirurgjikale.

Në rastin e parë mund të përmendim medikamente që tek partneri femër stimulojnë ovulacionin, përmirësojnë profilin hormonal, profilin metabolik, ndërsa tek partneri mashkull përmirësojnë cilësinë e spermës. Në rastet kur evidentohen tek partneri femër mioma, polipe apo kiste të ndryshme atëherë mund të jetë i nevojshme trajtimi kirurgjikal me anën e kirurgjisë klasike ose asaj moderne minim invazive (histeroskopi apo laparoskopi).

Në rastet kur trajtimi medikamentoz dhe ai kirurgjikal dështon atëherë cifti rekomandohet për teknika artificial të riprodhimit (ART – Artificial reproductive techniques). Këto teknika mund të rekomandohen direkt në rastet me bllokim të tubave të fallopit (tek femra) ose në rastin e oligo-azospermisë (tek meshkujt). Në ART përmendim inseminim intrauterine artificial (IUI) dhe fertilizimin in Vitro (IVF).

Cfarë është inseminimi artificial intrauterin (IUI)?

IUI është një trajtim kompleks që fillon me seleksionimin e rastit; pra zgjedhjen e cifteve që vertet do të kishin shanse të mira për të patur një shtatzani me sukses nga kjo procedurë. Fillimisht kemi një ndjekje ekografike të rritjes së folikulare (me ose pa stimulues të oovulacionit). Në momentin që folikuli arrin dimensionet ku konsiderohet matur (i pjekur) deklanshohet ovulacioni përmes një injeksioni që përmban HCG.

Pas këtij injeksioni ovulacioni zakonisht ndodh rreth 36 orë më pas. Është pikërisht në këtë moment që sperma e bashkëshortit pas një përpunimi në laborator injektohet me ndihmën e kateterëve delikatë në brendësi të mitrës. IUI është një teknikë shumë më e thjeshtë dhe shumë më pak e kushtueshme se sa IVF.

Cfarë është fertilizimi in vitro (IVF)?

Fertilizimi in vitro është trajtimi më madhor dhe më kompleks i infertilitetit. Gjithmonë ai duhet të paraprihet nga një fazë parapërgatitore e cila përfshin vlerëësimin e historisë infertile dhe të trajtimeve të ciftit, zgjedhjen e protokollit të duhur të stimulimit dhe aplikimin e medikamenteve apo procedurave të ndryshme të cilat mund të optimizojnë akoma më shumë shanset e suksesit të fertilizimit in vitro.

Në fillim të fertilizimit in vitro kemi fazën e stimulimit ovarian e cila zgjat afro 10 ditë. Stimulimi zakonisht me injeksione subkutane të cilat nuk dhembin dhe mund të kryhen nga vetë pacientja në mënyrë ambulatore (pa ndihmën e mjekut apo infermieres). Gjatë kësaj periudhe pacientja monitorizohet përmes ekografisë transvaginale dhe dozimeve hormonale për të përcaktuar sa më saktë momentin se kur ovocitet (vezët) arrijnë maturitetin (pjekurinë). Pas fazës së stimulimit ovarian femra i nënshtrohet aspirimit të ovociteve (vezëve). Aspirimi apo mbledhja e vezëve bëhet nën drejtimin ekografik transvaginal dhe nën anestezi. Pas kësaj procedure pacientja mund të largohet nga spitali brenda disa orëve.

Gjatë kohës që ndodh aspirimi i vezëve, bashkëshorti jep spermën e tij në një tjetër ambient privat të klinikës. Sperma e bashkëshortit ekzaminohet dhe prej saj zgjidhen spermatozoidet më të shëndetshme. Në rastet me azospermi (mungesë e spermatozoideve në ejakulat) pacientit i rekomandohet ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt, teknikë kjo minimalisht invasive dhe që nuk zgjat më shumë se 30 minuta.

Pas marrjes së vezëve, ato ekzaminohen nga embriologu dhe prej tyre zgjidhen mundësisht vetëm ato me pjekuri maksimale. Janë pikërisht këto ovocite (vezë) të cilat bashkohen me spermatozoidet nën drejtimin e mikroskopit. Rreth 40 orë pas këtij bashkimi kontrollohet fertilizimi dmth sa prej këtyre vezëve janë konvertuar në embrione pas bashkimit me spermatozoidet. Është pikërisht ky moment (fertilizimi i vezës) që i ka dhënë emrin të gjithë procedurës nga fillimi deri në fund.

Klinikat moderne tashmë kryejnë mikro-manipulim ose intra-citoplazmatik sperm injection (ICSI) e cila u ka dhënë shpresë edhe rasteve të rënda të infertilitetit mashkullor me spermatozoide të palëvishëm. Gjatë ICSI-t, spermatozoidi injektohet direkt nën drejtimin e embriologut në brendësi të ovocitit (vezës). ICSI mund dhe duhet të kryhet vetëm nga embriologë me eksperiencën e duhur.

Embrionet ruhen në laborator dhe transferohen në mitër në ditët 2, 3 ose 5 të jetës së tyre. Transferta e embrioneve është një teknikë pa dhimbje, nuk kërkon anestezi dhe kryhet nën drejtimin ekografik. Pacientja mund të largohet nga spitali 30 minuta pas transfertës. 12 ditë pas transfertës pacientja këshillohet të kryejë analizën e beta-HCG e cila në rastet me sukses do të vertetojë një shtatzani. Në rastet kur formohen shumë embrione cifti gëzon edhe opsionin e ruajtjes së tyre në ngrirje.

Fertilizimi in vitro ka shanse suksesi që variojnë në varësi të moshës së parterit femër kryesisht. Kuptohet sa më e madhe kjo moshë aq më të pakta janë edhe shanset e suksesit të IVF. Kjo shpjegohet me reduktimin e rezervës ovariane sidomos pas moshës 35 vjecare.

Fertilizimi in vitro duke qenë më kompleks, është më i sukseshëm por edhe më i shtrenjtë se sa inseminimi intrauterin artificial.


Ky artikull është dërguar nga:
Ky artikull është lexuar 5960 herë.
Artikuj të tjerë ne specialitetin Obstetrike-Gjinekologji
Komente nga lexuesit

Pershendetje! Jam i interesuar te di nese teknika e ICSI realizohet ne klinikat qe kryejne fertilizim in vitro ne shqiperi, dhe nese eshte me e kushtueshme se teknika e fertilizimit te vezes jo me injektim intra citoplazmatik te spermatozoidit? Flm

Dërguar nga brandon, më 15 Nentor 2014 në 02:56
Sante Plus Tirana
Artikuj të rinj
Mjekët e shtuar së fundmi
Mjeket sipas specialitetit
Komentet e fundit
Sondazh

A mendoni se mjeket ne Shqiperi jane te kualifikuar aq sa duhet?

Dergo voten