Sante Plus Tirana
Dërguar nga:

Infertiliteti mashkullor

Problemet që shkaktojnë infertilitet tek mashkulli janë shumë të shpeshta. Infertiliteti mashkullor përbën 25-50% të rasteve me infertilitet.

Problemet që mund të shkaktojnë infertilitet mashkullor mund ti ndajmë në dy grupe të mëdha: në problemet që prekin prodhimin e spermës nga testikujt dhe në problemet që prekin transportin e spermës jashtë kanalit genital mashkullor.

Problemet me prodhimin e spermës mund të lidhen me vetë testikulin ose me sinjalet që testikuli merr (apo nuk merr) nga truri. Në problemet që lidhen me vetë testikulin mund të përmendim ato të shkaktuara nga infeksione të ndryshme si orkiti (infeksion i testikulit si komplikacion kryesisht i parotisit në fëmijëri), varikocela (zgjerime të venave të cilat shkaktojnë dëmtim të spermatogjenezës), tumore të ndryshme të testikulit, anomali të lindura në të cilat testikuli nuk prodhon spermatozoidë pasi nuk ka strukturën e duhur për spermatogjenezë (kromozomi Y fraxhil).

Problemet në ejakulat mund të shkaktohen nga bllokime (obstruksione) të sistemit ejakulator në pika të ndryshme. Të tilla bllokime mund të jenë pasojë e infeksioneve të ndryshme, traumave, operacioneve në të kaluarën etj.

Analizat dhe arritja e diagnozës

Analiza kryesore që i rekomandohet një mashkulli infertile është spermiograma, e cila analizon spermën e pacientit duke e krahasuar atë me vlerat normale të pranuara botërisht. Është spermiograma ajo që diagnostikon në se një mashkull ka një problem me fertilitetin e tij apo jo. Spermiograma është një analizë shumë e thjeshtë, jo e shtrenjtë dhe e domosdoshme në vlerësimin e potencialit fertile të një mashkulli.

Parametrat normale të spermiogramës janë si më poshtë:

Volumi i ejakulatit

  • Vëllimi normal i një ejakulati varion nga 1.5 në 5 mililitra.
  • Një vëllim më i vogël se kaq mund të tregojë se vezikulat seminal nuk prodhojnë sasinë e duhur të likidit ose mund të tregojë se duktuset (kanalet) e këtyre vezikulave janë të bllokuara.
  • Gjithashtu mund të tregojë edhe një problem me prostatën.

Përqëndrimi:

  • Përqëndrimi normal sermatozoideve për mililitër varion nga 20 - 300 milion/ml.
  • Vlerat < 10 mil/ml përbëjnë problem serioz (oligospermia).
  • Vlera 10 – 20 mil/ml mund të jenë pa ndonjë problem serioz nqs motiliteti dhe morfologjia janë brenda normës.
  • Azospermia është mungesa totale e spermatozoideve në ejakulat.

Motiliteti (lëvizshmëria) dhe shpejtësia

  • Numri i spermatozoideve aktive si përqindje e numrit total të qelizave në ejakulat:
      - të paktën 50% duhet të jenë të lëvizshme).
  • Cilësia e lëvizjes së këtyre spermatozoideve.
      - Lëvishmëria e spermatozoideve vlerësohet sipas gradave nga 0-4.
      - Kur të paktën 25% e spermatozoideve kanë lëvizshmërinë ≥ 2, atëherë     lëvizhmëria është e kënaqshme.

Morfologjia

Shumica e spermatozoideve tek meshkujt nuk janë të formave normale. Pra ne nuk duhet të presim rezultate të vlerave 90 - 100% spermatozoide normale në një spermogramë.

  • Sipas kritereve të OBSH (Organizata Botërore të Shëndetësisë) të paktën 30% e spermatozoideve duhet të kenë formë të rregullt.
  • Sipas kritereve të Kruger, një rezultat normal do të ishte nqs të paktën 14% e spermatozoideve kanë formë normale. Tek meshkujt me < 4% spermatozoide me formë normale, kemi të bëjmë me një problem serioz infertiliteti.


Në varësi të rezultatit të spermiogramës, do të përcaktohet edhe nevoja e analizave të tjera tek mashkulli. Në rastet me spermiogramë normale, zakonisht nuk shihet e arsyeshme të kërkosh analiza të tjera. Në rastet me rezultate shumë të dobëta të spermiogramës, psh. kur përqëndrimi i spermatozoideve është shumë i vogël (oligospermia, azospermia) mund të kërkohen shtesë ekografia skrotale, analizat e profilit hormonal dhe ato gjenetike.

Ekografia skrotale do të përcaktojë dimensionet e testikujve dhe epididimuseve, praninë ose të jo të masave, tumoreve apo kisteve si edhe të anomalive vaskulare (varicocele).

Nga analizat e profilit hormonal do të mund të kuptohet në se kemi ndonjë problem me sinjalet që testikuli duhet të marrë nga qendra (sistemi nervor qëndror) në mënyrë që të prodhojë spermë. Profili hormonal përmbledh:

  • FSH
  • LH
  • Testosteroni total
  • TSH
  • Prolaktina.

Analizat gjenetike do të tregojnë nëse problemet e spermës janë të lidhura me defekte të lindura gjenetike të cilat bëjnë të pamundur prodhimin e spermës (sindroma Klinefelter , kromozomi fragil Y) ose shkaktojnë apo me defekte që bëjnë të pamundur transportin e spermës nga testikujt në duktuset ejakulatorë të penisit (fibroza kistike shkakton absencë të vas deferens të cilat lidhin testikujt me dukstuset ejakulatorë të penisit).

Analizat gjenetike janë:

  • Kariotip,
  • Fibroza kistike
  • Y fragile chromosome

Në rastet me azospermi (mungesë totale e spermatozoideve në testikuj) e vetmja mënyrë për të mësuar në se ekzistojnë spermatozoide në testikuj (dhe eventualisht ti përdorim ato për Fertilizim In Vitro) mbetet ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt.

TRAJTIMI

Trajtimi i rasteve të lehta përfshin përmirësimin e profilit hormonal, mënjanimin e faktorëve të cilët dëmtojnë spermatogjenezën (ndalimi i duhanit, mosmbajtja e të mbathurave shumë të ngushta). Per trajtimin e formave te lehta te infertilitetit mashkullor rezervohet edhe inseminimin intrauterin (IUI).

Për sa i përket varikocelës, rekomandohet trajtimi kirurgjikal vetëm në rastet kur varikocela shkakton anomali të rënda të spermës, dhimbje, zmadhim të testikulit. Megjithatë duhet theksuar se shumica (6 në 7 individë) e atyre që operohen nga varikocela nuk përfitojnë nga ky trajtim.

Trajtimi i rasteve të rënda të infertilitetit mashkullor varion nga Fertilizimi In Vitro klasik deri tek Fertilizimi In Vitro (IVF) me injeksion intracitoplazmatik të spermatozoidit në citoplazmën e vezës (ICSI – intracytoplasmic sperm injection).

Pse ICSI për rastet e rënda? Sepse në rastet e rënda, përvec numrit shumë të reduktuar mund të kemi edhe problem me lëvizshmërinë apo edhe me morfologjinë. Kështu që nuk mjaftohemi vetëm me vendosjen afër të spermatozoidit me vezën por injektojmë direkt spermatozoidin në brendësi të vezës.

Në rastet e rënda, mund të kërkohet edhe ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt (Testicular sperm extraction – TESE) për të zotëruar spermatozoidet e nevojshme për IVF – ICSI. Në rastet kur edhe përmes ekstraksionit kirurgjikal nuk arrihet të gjenden spermatozoide, ciftit i rekomandohet sperm donation.

Ky artikull është dërguar nga:
Ky artikull është lexuar 8013 herë.
Artikuj të tjerë ne specialitetin Obstetrike-Gjinekologji
Komente nga lexuesit

Azospermia a kurohet me mjekim?

Dërguar nga Valmira halmusaj, më 06 Prill 2014 në 08:56

Burri im eshte diagnostifikuar me azospermi dhe me varikocel .operimin e varikoceles e ka be javen e kaluar si dhe ka be biopsi ne testis mirpo nuk kan gjet asnje spermatozoid.urologu na sugjeroi terapin Profertil dhe vitamin e.dhe tha mbas gjashte muaj kontroll.jemi shume ne stres te madhe me duhet ndima juaj cfare thoni ju a ndodh qe azosprmia te permirsohet.a keni.pas ndonje raate me azospermi dhe Fsh te larte e te ken femije ne menyre natyrale.ju luten me pergjigjuni.

Dërguar nga diellza, më 14 Qershor 2014 në 17:08

Trajtimi i azoospermise varet nga shkaku i saj. Ne shumicen e rasteve, trajtimi eshte vetem biopsia testikulare (TESE) dhe ne rast se gjenden spermatozoide ato mund te perdoren per Fertilizim In Vitro. Ne eksperiencen time ka patur raste qe jane bere prinder pas nje TESE pozitive. Mos harroni se duhet te pranoni shanset nga ku ju niseni: Fillimisht duhet qe TESE te rezultoje pozitive (per spermatozoide)dhe kjo ndodh ne 60-70% te rasteve. Por edhe ne rastet kur gjenden spermatozoide, shanset e suksesit te IVF jane disi me te uleta se rastet e tjera te IVF. Zakonisht, kur FSH eshte e larte dhe kur dimensionet e testikujve jane me te reduktuara shanset per te gjetur spermatozoide jane minimale.

Dërguar nga Elton Peci, më 02 Gusht 2014 në 13:44
Sante Plus Tirana
Artikuj të rinj
Mjekët e shtuar së fundmi
Mjeket sipas specialitetit
Komentet e fundit
Sondazh

A mendoni se mjeket ne Shqiperi jane te kualifikuar aq sa duhet?

Dergo voten