Kodi i etikës dhe deontologjisë mjekësore

Deontologjia mjekësore është një bashkësi principesh dhe rregullash që mjeku duhet t'i respektojë gjatë ushtrimit të profesionit. Sjellja e mjekut, qoftë edhe jashtë kohës së ushtrimit të profesionit, duhet të jetë shembullore në përputhje me dinjitetin që kërkon ky profesion.

Mjekët janë të detyruar të njohin principet dhe rregullat që përmbahen në këtë Kod.

Mjeku duhet të njohë Urdhërin e Mjekëve si një ent publik, i cili përfaqëson interesat e përbashkëta të profesioneve mjekësore dhe rregullon marrëdhëniet midis tyre në funksion të publikut.

Çdo mjek kur regjistrohet në Urdhërin e Mjekëve duhet të ketë njohuri të plota të Kodit Deontologjik dhe njëkohësisht bën betimin me gojë ose e jep me shkrim, duke u zotuar se do ta respektojë atë me përpikmëri.

Detyrat dhe misioni i mjekut

Detyra themelore eshtë mbrojtja e jetës dhe e shëndetit fizik e psiqik të njeriut dhe lehtësimi i vuajtjeve. Në misionin e tij human për mbrojtjen e shëndetit, zbulimin dhe mjekimin e sëmundjeve, mjeku bazohet në shkencë dhe në ndërgjegjen e tij

Ndihma mjekësore

Mjeku duhet të ofrojë ndihmë mjekësore të njëjtë për të gjithë, pa dallim moshe, seksi, race, kombësie, feje, pikëpamje politike, gjendje ekonomike, pozite shoqërore etj, duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo individi. Në rast lufte apo katastrofash ai duhet të angazhohet menjëherë për të ofruar ndihmën e tij, duke u vënë në dispozicion të autoriteteve kompetente.

Respektimi i traditës

Mjeku duhet të bëjë gjithçka që ka në dorë për të respektuar dhe mbrojtur traditat më të vyera të profesionit mjekësor, duke praktikuar vazhdimisht një standard të lartë profesional dhe një sjellje etike të përshtatshme ndaj të sëmurit, familjarëve dhe ndaj çdo personi tjetër që i kërkon ndihmë.

Kufizime të aktivitetit profesional

Mjeku në asnjë rast nuk duhet të abuzojë me kushtet që i krijon profesioni. Mjeku nuk duhet të përdorë postin për qëllime përfitimi personal dhe profesional .

Ndihma në raste urgjente

Mjeku, pavarësisht nga specialiteti që ka, nuk duhet të refuzojë për të ndërhyrë në çdo vend e rrethanë për të dhënë ndihmën urgjente për çdo njeri që ka nevojë, duke kërkuar dhe asistencën e specializuar.

Marrëdhëniet me kolegët dhe personelin

Gjatë punës së tij, mjeku duhet të bëjë kujdes për të ruajtur emrin e mirë të profesionit mjekësor dhe të ketë marrëdhënie korrekte me kolegët dhe personelin tjetër mjekësor.

Përdorimi i njohurive

Mjeku duhet të përdorë njohuritë dhe aftësitë e tij, duke u bazuar në pavarësinë profesionale, lirinë e veprimit dhe përgjegjshmërinë personale.

Detyrimet profesionale

Mjeku ka për detyrë azhornimin me të rejat e shkencës, pjesëmarrjen në aktivitete kualifikuese për ngritjen e tij profesionale. Ai duhet të bëjë vlerësimin e drejtë të gjëndjes së pacientit duke u bazuar në anamnezë, shënja klinike dhe ekzaminimet e duhura. Në rast nevoje dhe kur është e mundshme, duhet të konsultohet me specialistët jashtë ose brenda specialitetit të tij dhe të zbatojë urdhërat e konsultës.

Ai duhet të ndihmojë publikun për të kuptuar çështjet shëndetësore dhe të kontribuojë në edukimin dhe trajnimin e mjekëve të tjerë.

DETYRAT E MJEKUT NDAJ TË SËMURIT

Marrëdhëniet me të sëmurin

Mjeku duhet të kujdeset për ruajtjen e mirëqënies së të sëmurit dhe të interesave shendetësore të tij. Marrëdhëniet midis tyre duhet të mbështeten në mirëbesimin e ndërsjelltë. Zgjedhja e lirë e mjekut dhe e institucionit të mjekimit nga i sëmuri, përbën parimin themelor të këtyre marrëdhënieve.

Kompetenca profesionale

Mjeku duhet t'i garantojë të sëmurit përkushtim dhe kompetencë profesionale. Ai duhet të përballojë problemet diagnostike e mjekuese, duke i dedikuar të sëmurit kohën e nevojshme.
Ai duhet të kryejë punën e tij pa mangësi profesionale dhe etike, pa abuzuar mbi të sëmurin nga ana fizike, emocionale ose materiale. Shkeljet në këtë drejtim, sipas shkallës së rëndësisë dënohen sipas dispozitave të Ligjit Nr.6815 date 1.06.2000 dhe Statutit te Urdhërit të Mjekëve.

Miratimi i trajtimit nga i sëmuri

Mjeku duhet të respektojë të drejtën e të sëmurit që, me vullnet të lirë, të pranojë ose të refuzojë trajtimin dhe llojin e ndihmës mjekësore të rekomanduar. Në qoftë se i sëmuri është i paaftë të japë pëlqimin dhe përfaqësuesi i tij nuk është i pranishëm, në situata mjekësore urgjente, mjeku vepron nën përgjëgjësinë e tij në të mirën më të mundshme për të sëmurin.

Detyrat ndaj fëmijëve, pleqve dhe handikapatëve.

Në ushtrimin e profesionit të tij mjeku duhet të angazhohet në kujdesin për fëmijët, pleqtë dhe handikapatët, sidomos kur vëren se ambjenti familjar ose jashtëfamiljar ku jetojnë ata, nuk kujdesen në mënyrë të mjaftueshme për shëndetin e tyre.

Mjeku që thërritet për të trajtuar një fëmijë ose të mitur, duhet të përpiqet të marrë pëlqimin e prindërve, të të afërmve apo të përfaqësuesve të tij ligjorë. Bëhet përjashtim kur rasti eshtë urgjent dhe mjeku nuk e ka të mundur të komunikojë me ta.

Në rast dyshimi për abuzim ose keqtrajtim të fëmijës, mjeku është i detyruar të lajmërojë organet përkatëse të njohura me ligj.

Informimi i të sëmurit

Mjeku duhet të informojë të sëmurin për ecurinë e ekzaminimeve dhe të llojit të mjekimit, të japë parashikime duke i bërë të ditur të sëmurit të mirat dhe të këqiat, për të marrë së bashku vendimin më të drejtë të trajtimit më të mirë.

Në rast se i sëmuri është nën moshë për të gjykuar në mënyrë të pavarur ose i paaftë mendërisht, mjeku është i detyruar të marrë vendimin e familjes ose kujdestarit dhe kur kjo është e pamundur, të veprohet nën përgjëgjësinë e konsultës mjekësore.

E drejta e të sëmurit të informohet për rezultatet

I sëmuri ka të drejtë të dijë të vërtetën mbi sëmundjen e tij dhe të njihet me të gjitha rezultatet e analizave dhe dokumentat e tjera mjekësore. Megjithatë, nëse mjeku e gjykon që kjo vënie në dijeni dëmton shëndetin e të sëmurit, atëhere ai nuk është i detyruar t'a informojë atë për të vërtetën apo t'i tregojë dokumentacionin mjekësor.

Informimi i familjarëve

Është detyrë morale e mjekut të tregojë mirëkuptim dhe bashkëshqetësim me familjarët e të sëmurit dhe t'i mbajë ata në dijeni për ecurinë e gjendjes së të sëmurit. Ky bashkëpunim është në të mirën e të sëmurit.

Proçedurat diagnostikuese e mjekuese.

Mjeku duhet të propozojë dhe të kryejë ndaj të sëmurit, vetëm ato proçedura diagnostike që janë të nevojshme për diagnozën më të besueshme dhe vetëm atë mjekim që është në pajtim me standarde të provuara të shkencës mjekësore bashkëkohore.

Në mjekimin e të sëmurit, mjeku duhet të jetë sa më racional në shpenzimet ekonomike, në përputhje me praktikën e zakonshme mjekësore.

Proçedurat ekzaminuese e mjekuese të panevojshme janë të palejueshme, pavarësisht se kush do t'i mbulojë shpenzimet e kurimit të të sëmurit.

Mos përzierja në çështjet familjare

Mjeku nuk duhet të përzihet me probleme personale ose familjare të të sëmurit dhe as të përpiqet për të ndikuar tek ai, me përjashtim kur kjo kërkohet nga lloji i trajtimit mjekësor.

Ruajtja e sekretit

Të dhënat që mjeku mëson gjatë kryerjes së detyrës, konsiderohen si të fshehta mjekësore. Me dëshirën e të sëmurit, mjeku është i detyruar të mbajë të fshehtën edhe ndaj familjarëve e personave të tjerë, madje edhe pas vdekjes të sëmurit, me përjashtim të rasteve kur ajo përbën rrezik për shëndetin dhe jetën e të tjerëve.

Zbulimi i sekretit

Mjeku ka të drejtë të zbulojë të fshehtat mjekësore të të sëmurit, në rastet kur fshehja e tyre rrezikon jetën e të sëmurit ose kur kërkohet nga një organ i njohur me ligj.

Kur mjeku i përdor të dhënat mjekësore rreth një të sëmuri për t'i publikuar, ai është i detyruar që identiteti i të sëmurit të mos zbulohet.

Përfitimi i të drejtave

Mjeku duhet të përpiqet që i sëmuri i tij të përfitojë të gjitha të drejtat shoqërore ose materiale që i takojnë me ligj.

Çdo abuzim, mashtrim ose fallsifikim i dokumentave mjekësore dënohet sipas ligjit.

Vazhdimësia e mjekimit

Kur mjeku do të mungojë për një periudhë të caktuar, ai është i detyruar të sigurojë vazhdimësinë e trajtimit mjekësor për të sëmurin e tij, duke ia përcjellë atë një mjeku tjetër.

Kur mjeku e gjykon se kushtet për një trajtim siç duhet të gjendjes së të sëmurit dalin jashtë aftësive dhe njohurive profesionale të tij, atëherë duhet të marrë masat që i sëmuri të kalojë për kurim te një mjek tjetër, i aftë për të marrë përsipër këtë trajtim. Rekomandimi për kolegun ose për kolegët duhet të jetë i ndershëm, i justifikueshëm dhe i dokumentuar.

Ndërrimi i mjekut kurues

Në rast se i sëmuri, i mirëinformuar për sëmundjen dhe i aftë të marrë vendime të pavarura, e humb besimin te mjeku, ky i fundit lejohet të heqë dorë nga vazhdimi i kurimit dhe të rekomandojë trajtimin mjekësor te një mjek tjetër ose institucion mjekësor. Ky veprim kryhet edhe në rastet kur i sëmuri, në mënyrë të ndërgjegjshme, sillet në mënyrë të pahijshme, bëhet brutal dhe kërcënues, me përjashtim kur për momentin gjendja e të sëmurit është rrezikuar nga sëmundja dhe mjeku është i detyruar ta ndihmojë.

Ndihma mjekësore për të dënuarit

Mjeku që thirret ose që punon për një institucion ku të pandehurit ose të dënuarit vuajnë masën e dënimit, duhet jo vetëm të ofrojë ndihmë mjekësore, por edhe të mbrojë të drejtat e dinjitetin e të dënuarit të sëmurë dhe, nëse ai është dhunuar fizikisht ose psikologjikisht, duhet të vërë në dijeni organet e njohura me ligj.

Mjekimi dhe ushqyerja e detyruar për të dënuarin

Mjekimi dhe ushqimi i detyruar lejohet vetëm në rastet kur i dënuari i sëmurë nuk është ndërgjegjësisht i aftë të vendosë vetë. Në qoftë se një i rritur, mendërisht i shëndoshë, refuzon ushqimin, kjo duhet respektuar nga mjeku.

Mjeku e ka të ndaluar kategorikisht të marrë pjesë në dhunën ose torturat kundër të pandehurit.

Dokumentimi i veprimeve

Të gjitha veprimet diagnostikuese e mjekuese që mjeku kryen ndaj të sëmurit, duhet të përshkruhen (regjistrohen) në dokumentat përkatëse mjekësore ( kartelë klinike, regjistri i vizitave, receta, epikriza, raporte etj.) që janë akte zyrtare administrative, ligjore e shkencore.

Çdo abuzim, mashtrim ose fallsifikim i tyre është i dënueshëm me ligj.

Dhënia e dokumentave mjekësore

Mjeku me kërkesë të të sëmurit, familjarëve ose të organeve të njohura me ligj, lëshon ose firmos çertifikata, epikriza, vërtetime e dokumenta të tjera, vetëm kur është i sigurt se ato janë të vërteta. Këto dokumenta shkruhen në gjuhën shqipe, por sipas nevojës edhe në gjuhë të huaj .

Ankesat e të sëmurëve

Në qoftë se të sëmurët kanë ankesa lidhur me kujdesin apo mjekimin, atyre duhet t'u jepet një përgjigje e menjëhershme dhe e përshtatshme. Mjeku kurues ka përgjegjësi profesionale për tu marrë me ankesat në mënyrë konstruktive dhe të ndershme. Në rast se gjatë mjekimit, pacienti ka pësuar dëmtime serioze, pavarësisht nga arsyeja, duhet t'i shpjegohet plotësisht se çfarë ka ndodhur dhe mundësisht t'i kërkohet të falur atij, ose, kur është nën 16 vjeç, familjarëve të tij.

Lehtësimi i vuajtjeve të të sëmurit që është duke vdekur

Lehtësimi i vuajtjeve dhe dhimbjes është një nga detyrat kryesore të mjekut. Kjo është vençanërisht e rëndësishme gjatë trajtimit të një sëmuri që është duke vdekur. Mjeku pavarësisht nga mjekimi duhet të përpiqet të ofrojë përkujdesje shpirtërore, gjithmonë duke respektuar dëshirat dhe besimin fetar të të sëmurit. Në të njëjtën kohë mjeku duhet të vërë në dijeni familjarët dhe miqtë e të sëmurit mbi gjendjen e tij dhe të përpiqet të gjejë bashkëpunimin e tyre në lehtësimin e vuajtjeve të të sëmurit.

Mos shpejtimi i vdekjes

Shpejtimi i përfundimit të jetës apo provokimi i vdekjes është në kundërshtim me etikën mjekësore. Nëse i sëmuri është pa vetëdije, pa shpresë për të jetuar, mjeku duhet të veprojë sipas gjykimit të tij personal për më të mirën, në përputhje me bindjen e tij profesionale dhe morale.

Vdekja e të sëmurit

Kur vdes një i sëmurë, mjeku kurues duhet t'iu shpjegojë familjarëve arsyet dhe rrethanat e vdekjes. Ata duhet të informohen me të gjitha hollësitë.

MARRËDHËNIET MIDIS MJEKËVE, NDAJ PROFESIONIT DHE INSTITUCIONEVE

Respekti reciprok

Marrëdheniet midis mjekëve duhet të bazohen në principet e respektit reciprok. Mjeku duhet të sillet ndaj kolegëve të tij me ndershmëri, ashtu siç ai do të dëshironte që ata të silleshin ndaj tij. Mjeku nuk duhet të përgojojë kolegët e tij dhe të bëjë që pacienti të dyshojë për njohuritë dhe aftësitë e tyre.

Respekti ndaj mësuesve

Mjeku duhet të tregojë respekt dhe mirësjellje ndaj mësuesve të tij për dijenite, aftësitë profesionale dhe mjeshtërinë që ka fituar nga ata.

Solidariteti ndaj kolegëve

Në qoftë se një mjeku i kërkohet një këshillë ose ndihmë profesionale nga një koleg, ai duhet të jetë i gatshëm t'i japë ato me sinqeritet dhe në përputhje me njohuritë më të mira. Ai duhet të jetë solidar me kolegë që iu nënshtrohen akuzave të pa drejta.

Qëndrimi ndaj sjelljes jo korrekte të kolegëve.

Në rast se mjeku vihet në dijeni të një sjellje të papërgjegjshme të kolegut, që mund të ketë lidhje me ndonjë parregullsi etike ose mjekësore, ai nuk duhet t'i diskutojë ato me pacientin, me familjarët ose kolegët e tjerë, por t'i diskutojë me autoritetet përkatëse të Urdhërit të Mjekëve.

Gabimet e bashkëpunëtorëve

Mjeku është i detyruar të vërë në dukje gabimet që mund të bëhen nga bashkëpunëtorët ose personeli tjeter ndihmës, duke i trajtuar ato me takt, pa cënuar dinjitetin e asnjërit dhe asnjëherë përpara të sëmurit, familjarëve apo miqve të tyre.

Raportet me mjekun kurues

Mjeku mund të marrë në trajtim mjekësor një të sëmurë nga një mjek tjetër, vetëm me kërkesë të këtij mjeku, ose kur kërkohet nga vetë pacienti. Në këtë rast duhet të informojë mjekun kurues për rekomandimet diagnostikuese e kuruese dhe vlerësimin klinik që ka bërë.

Rritja e aftësive dhe autoritetit profesional

Për të rritur autoritetin profesional është detyrë e mjekut që vazhdimisht të studiojë dhe të ndjekë zhvillimet më të reja të profesionit të tij, në mënyrë që t'iu ofrojë te sëmurëve një trajtim mjekësor të shkallës më të lartë.

Reputacioni profesional dhe figura morale

Mjeku duhet të ruajë reputacionin dhe pavarësinë profesionale dhe të mos lejojë që emri i tij të përdoret në propagandën tregëtare për fitime personale. Ai duhet të mënjanojë fitimin e pamerituar dhe fryrjen e famës së tij nga vetëmburrjet.

Mjeku duhet të ruajë të pastër figurën morale duke qëndruar larg aktiviteteve që e zhvleftësojnë personalitetin e tij (alkooli, droga, veset e tjera të papajtueshme me moralin).

QËNDRIMI I MJEKUT NDAJ RIPRODHIMIT HUMAN, EKSPERIMENTEVE KLINIKE E KËRKIMEVE BIO-MJEKËSORE DHE TRANSPLATIMEVE TË INDEVE E ORGANEVE

Informimi për çështjet seksuale

Në planifikimin familjar, mjeku kryesisht duhet të mbrojë metodat edukative e natyrale dhe pastaj pas kësaj ato artificiale në përputhje me njohuritë mjekësore dhe pikëpamjet morale. Ai është i detyruar të vërë në dijeni bashkëshortët lidhur me pasojat dhe dëmin e preparateve kontraceptivë të veçantë.

Kujdesi për shëndetin seksual

Mjeku duhet të kujdeset për shëndetin seksual të të sëmurit duke nënkuptuar përmisimin e jetës dhe marrëdhënieve personale, këshillimin dhe ndihmën mjekësore për një zhvillim të shëndetshëm seksual, kujdesin për riprodhimin dhe për sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Ndërprerja e shtatëzanisë

Mjekut i ndalohet të bëjë ndërprerje të shtatëzanisë dhe të kryejë sterilizime, perveç rasteve të parashikuara me akte ligjore dhe indikimeve mjekësore.

Aplikimi i metodave të riprodhimit të ndihmuar

Në trajtimin e pamundësisë bashkëshortore për të lindur fëmijë, mjeku duhet të dijë që aplikimi i metodave të riprodhimit të ndihmuar, duke përfshirë edhe fertilizimin in vitro, e bën të nevojshme të kuptuarit e njohurive bazë të këtyre metodave nga të dy partnerët. Është detyrë e mjekut të njihet me zhvillimet etike të llojit e metodave në përputhje me konceptet e pranuara botërisht dhe të njohura me ligj.

Abuzimi me embrionet humane për qëllime kërkimore është jo etik, i papranueshëm dhe i dënueshëm penalisht.

Pjesëmarrja në kërkime shkencore

Mjeku që merr përsipër një punë kërkimore me qëllim parandalues, diagnostikues dhe mjekues, duhet të paraqesë planin e punës kërkimore përpara një komisioni përkatës kompetent e të pavarur, për të vlerësuar në lidhje me përligjien shkencore dhe pranueshmërinë etike. Ai duhet me kujdes të vërë në dijeni personat e përfshirë në kërkim mbi objektin e punës kërkimore, duke parashikuar të mirat dhe dëmet e mundshme dhe duhet të kërkojë pëlqimin e tyre. Në qoftë se marrja e pëlqimit është e pamundur nga gjendja e personit, kjo mund të kërkohet edhe nga të afërmit.

Personit të përfshirë ne kërkim duhet t'i bëhet e qartë e drejta që ka ai për mundësinë e ndërprerjes së kërkimit. Një mjekim i krahasuar me placebo, mund të përdoret vetëm atëherë kur, sipas të dhënave shkencore, i sëmuri mund të përfitojë dhe efektet e dëmshme janë të përjashtuara me siguri.

Aplikimi i metodave të reja

Aplikimi i metodave të reja diagnostikuese, mjekuese dhe parandaluese, janë të lejuara vetëm pas miratimit të projektit, shqyrtimit klinik nga një komision i pavarur e kompetent. Adoptimi, kryerja dhe nxitja e metodave të pa vërtetuara në mënyrë shkencore, duke shkaktuar shpresa fallco te të sëmurët dhe familjarët, përbën një dhunim të etikës mjekësore.

Raportimi i rezultateve

Rezultatet e arritura duhet të raportohen nga mjeku kërkues në përputhje me rregullat e raporteve shkencore gjatë një mbledhjeje specialistësh dhe vetëm mbasi të jetë marrë mendimi profesional, mund t'i bëhen të njohura publikut të gjerë.

Kërkimet për trashgiminë

Kërkimet shkencore në fushën e shëndetit dhe të trashëgimisë, duke përdorur teknologjitë përkatëse në materialet gjenetike të qënieve njerëzore, janë të pranueshme për qëllime diagnostike (diagnoza prenatale in vitro ose in utero të sëmundjeve gjenetike, pa dëmtuar embrionin ose nënën), për qëllime të industrisë farmaceutike me interes klinik (prodhimi i medikamenteve, hormoneve, vaksinave, etj), për qëllime shkencore në 10 studimin e sekuencave të ADN-së në gjenomat njerëzore për trajtimin e defekteve kromozomike.

Transplatimi i indeve dhe organeve nga të vdekur

Në rastin e vdekjes cerebrale, të vërtetuar profesionalisht në mënyrë të sigurtë, brenda kuadrit ligjor te ligjit Nr. 8193 datë 6.02.1997 "Mbi transplantin e organeve" , mjeku mund të mbajë organe, pjesë trupi ose inde, të cilat mund të përdoren për kurimin e të sëmurëve të tjerë. Në këtë procedurë nuk lejohet të marrë pjesë mjeku që përcakton vdekjen cerebrale.

Transplatimi i indeve dhe organeve nga të gjallët

Marrja e indeve ose organeve nga një dhurues i gjallë, i rritur dhe mendërisht i aftë, kryhet vetëm atëherë kur ai jep pëlqimin në mënyrë të lirshme dhe me shkrim, mbasi më parë t'i jenë bërë të ditura pasojat e mundshme. Është e papranueshme marrja e një organi kur një veprim i tillë rrezikon jetën e dhuruesit.

KUSHTET E USHTRIMIT TË PROFESIONIT

Sigurimi i mjedisit të punës

Në ushtrimin e profesionit, mjeku duhet të ketë një mjedis të përshtatshëm dhe mjetet e nevojshme teknike.

Në ushtrimin e profesionit privat, mjeku duhet të ketë vetëm një kabinet. Mbajtja e një të dyti mund të bëhet vetëm me autorizim të Këshillit Rajonal të Urdhërit të Mjekëve.

Mos shfrytëzimi i funksioneve administrative

Mjeku që kryen funksione administrative ose është i zgjedhur në detyra publike, e ka të ndaluar të shfrytëzojë postin për të rritur numrin e klientelës dhe për përfitime të tjera.

Pranimi i dhuratave dhe financimeve

Mjeku nuk duhet të pranojë dhurata materiale apo borxhe nga kompani, firma apo persona që tregtojnë medikamente dhe materiale të tjera. Përjashtohen financimet për konferenca, seminare e kongrese, ku qëllimi është për kualifikim profesional.

Atestimi

Në fletë recetat dhe dokumentat që lëshon, mjekut i lejohet të shkruajë
- Emër, mbiemër, adresë, numër telefoni dhe orën e konsultave.
- Kualifikimin dhe specializimin.
- Titujt dhe funksionet e njohura nga Urdhëri i Mjekëve.
- Titujt honorifikë të njohura nga Republika e Shqipërisë.

Përmbajtja e pllakës së kabinetit

Në tabelën që vendoset në hyrje të kabinetit, mjeku shkruan emrin, mbiemrin, titujt e specializimet e njohura dhe orarin e konsultave.

Kur mjeku është titullar i një diplome të huaj, atëherë duhet të specifikohet vendi dhe Universiteti që ka lëshuar diplomën ose çertifikatën që autorizon të ushtrojë këtë profesion.

Kontrata e punës

Ushtrimi i mjekësisë në çdo formë, qoftë pranë një institucioni privat ose publik, bëhet me kontratë me shkrim, ku përcaktohen detyrimet përkatëse të palëve. Çdo projekt kontrate i komunikohet Urdhërit të Mjekëve, i cili mund të bëjë vërejtje brenda një muaji.

Punësimi i kolegëve

Mjekut që ka hapur një kabinet i lejohet të punësojë për llogari të tij mjekë të tjerë sipas rregullave të liçensimit.

Honoraret

Pagesa e honorareve kryhet ose drejtpërdrejtë nga i sëmuri, ose nga një administratë apo një organizëm i caktuar. Mjeku duhet të japë shpjegime mbi honoraret ose koston e trajtimit. Ndalohet parapagimi i të gjithë trajtimit që mund të shkojë në disa seanca. Kur për një ekzaminim ose trajtim kontribojnë disa mjekë, honoraret duhet të jenë të veçanta e personale.

Bashkimi i mjekëve

Çdo bashkim ose grupim mjekësh duhet të bëhet në bazë të një kontrate të shkruar, që respekton pavarësinë e secilit.
Kontratat miratohen nga Këshilli Rajonal i Urdhërit të Mjekëve.
Çdo marrëveshje ose kontratë grupimi, me qëllim profesional midis mjekëve nga njëra anë dhe punonjësve të tjerë si infermierë, kimistë, etj. i dërgohet Këshillit Rajonal të Urdhërit të Mjekëve, i cili duhet të shqyrtohet nga Këshilli Rajonal brenda një muaji.

E drejta për grevë

Mjeku ka të drejtë kushtetuese për grevë. Por, mjeku, duke vepruar sipas shkencës dhe ndërgjegjes, ka për detyrë të garantojë shërbimin e ndihmës urgjente dhe të domosdoshme për të sëmurët.

Respektimi i Kodit.

Është detyrë e të gjithë mjekëve, të regjistruar në Urdhërin e Mjekëve, të respektojnë nenet e këtij Kodi.

Masat disiplinore

Mosnjohja e neneve të këtij Kodi nuk e përjashton mjekun nga përgjegjësia që vjen nga moszbatimi i detyrave etike e deontologjike të përshkruara në këtë Kod.

Masat disiplinore që rrjedhin nga mozbatimi i këtij Kodi përcaktohen sipas rregullores për Komisionet Disiplinore të Urdhërit të Mjekëve.

Sondazh

A do te kryenit një konsultë online me pagesë me një mjek?

Dergo voten