Shumë shkencëtarë, antropologë, psikologë, filozofë, socio-patologë e juristë, që merren me studimin e fenomenit të narkomanisë e të pijeve të ndryshme narkotike, theksojnë se për substancat narkotike, qofshin ato natyrore apo sintetike, kanë patur njohuri edhe njerëzit parahistorike (para Erës së Re). Nga shembujt e pikturave të lashta të zbuluara në shpellat e Francës Jugore dhe të Spanjës Veriore nxirren konkluzione se njerëzimi që në ato kohëra ka përdorur disa bimë gjatë zhvillimit të ritualeve dhe magjive të ndryshme, ndërsa tregtia e palejuar me pije narkotike i ka fillesat e saj që me ekzistencën e shoqërisë njerezore.
Përdorimi më i vjetër i drogës mendohet të jetë rreth 5000 vjet para epokës sonë. Sumerët, popullatë e vjetër që atë kohë jetonin në Mesopotami, rreth gjirit Persik, përdornin opiumin për të arritur efektin “hul” që do të thotë kënaqësi, ndërsa në Greqinë antike përdorej lëngu i opiumit.
Gjurmë të përdorimit të bimëve haluçinogjene shkojnë aq shumë larg në epokën parahistorike sa që disa autorë vlerësojnë që idea e Zotit do të jetë shfaqur tek njerëzit pas një eksperience me haluçinacione.
Të dhënat e zbuluara në rrënojat e qyteteve antikë tregojnë se njerëzit kanë eksperimentuar me cannabis të paktën që nga mijëvjeçari i tretë para Erës së Re për rekreativitet, për spiritualitet dhe për mjeksi.
Herodoti, një historian grek i rëndësishëm i shekullit të 5-të para Erës së Re, përshkruan se si Skithët e Lindjes së Mesme përdornin cannabis në banjat me avull.
Ka shkrime që tregojnë se popujt e lashtë të Amerikës Jugore, Actekët dhe Inkët, rreth viteve 1800 para Erës së Re, kishin njohuri për drogat. Ato i përdornin në ceremonitë e tyre religjioze. Ato droga ishin si mjete për nxitjen e haluçinacioneve që ata i nderonin si diçka mbinjerëzore. Më vonë punëtorët e plantacioneve në Brazil, Peru, Kolumbi, etj, përdornin fletët e bimëve Koka (Erythroxylon coca - bimë që përdoret për përfitimin e kokainës); i përtypnin dhe kjo bënte që gjatë punës të mos ndjenin lodhje.
Në disa tekste të njohur si Pen Tsao në Kinë, Vedas në Indi, Papiryset në Egjipt, Bibla, Kur’hani, si dhe Zend Avesta e persianëve, ku flitet për vepra të ndryshme shkencore të kohëve të lashta, në përshkrimet e tyre nga shkencëtarë të atëhershëm, gjithashtu, flitet se pijet e ndryshme narkotike kanë qenë të njohura në një rreth të caktuar njerëzish që i kanë përdorur shpesh, për një kohë të caktuar e të shkurtër, që të liroheshin nga ndonjë brengë e të kalonin nga bota reale në botën e imagjinatës. Arsyet me të shpeshta për këtë gjë nuk kanë qenë për qejf, por kanë qenë vështirësitë e ndryshme, sëmundjet, frika, etj.
Gjithashtu, rreth vitit 1000 të epokës sonë opiumi përdorej në Kinë dhe në Orient.
Ne shekullin XIII, ushtarët e kryqëzatave, pasi u kthyen nga Lindja e Largët, sollën hashashin e opiumin në Europë, por përdorimi i narkotikëve këtu nisi në fillim të shekullit të XX-të.
Për shkak të interesave në tregtinë me opium ndodhën edhe dy luftëra të opiumit, njera ndërmjet Anglisë dhe Kinës (1840-1842) dhe tjetra ndërmjet Anglisë dhe Francës. Pra, njera në anë të Kinës e tjetra kundër saj. Qeveria e Kinës në atë kohë e dënoi rreptësisht importimin dhe përdorimin e opiumit të prodhuar, kryesisht në Indi, pasi nga konsumimi i tij vdiq fëmija i perandorit kinez, duke reaguar me luftë të cilën Kina e humbi. Pas humbjes qeveria e Kinës u detyrua të bëjë lëshime dhe kompromise në dëm të vetes, duke iu dhënë kompanive të huaja mjaft privilegje.
Pas Luftës së Parë Botërore, sëmundja e varësisë, e përdorimit të narkotikëve, u përhap shumë. Në Francë, në vitin 1920, kishte 80 mijë njerëz të varur nga morfina e kokaina, që do të thotë se tregtia ilegale e këtyre narkotikëve u zgjerua dhe u përhap me të madhe. Në vitin 1949, në Kinë me dhjetera e miliona njerëz vuanin nga sëmundja e varësisë (narkomania), si pasojë e konsumimit të pijeve të ndryshme narkotike, në forma të ndryshme e të pakontrolluara. Në atë kohë opiumi i papërpunuar arrinte në Evropë kryesisht nga Lindja e Largët dhe kryesisht nga Turqia e pjesërisht edhe nga tregu ilegal i ish-Jugosllavisë.
Analizat kimike të opiumit, në shekullin e 19-të, zbulojnë se pjesa më e madhe e përdorimit të tij mund të përmblidhet në dy alkaloidë, kodeinën (codeine) dhe morfinën (morphine)
.Diacetilmorfina u sintetizua për herë të parë në vitin 1874 nga C. R. Alder Wright, një kimist anglez që punonte në spitalin e Shën Marisë së Shkollës Mjekësore në Londër. Ai eksperimentonte kombinimin e morfinës me acide të ndryshme. Ai zjeu anhidridin alkaloid të morfinës me anhidridin acetik për disa orë dhe prodhoi një formë më të fuqishëm të acetilit të morfinës, i quajtur tani diacetilmorfinë.
23 vjet më vonë, diacetilmorfina u risintetizua në mënyrë të pavarur nga një kimist tjetër, Feliks Hoffman. Hoffmann, duke punuar në Aktiengesellschaft Farbenfabriken (sot kompania farmaceutike Bayer) në Elberfeld, Gjermani, u instruktua nga supervizori i tij Heinrich Dreser për të acetilenifikuar morfinën me objektiv për të prodhuar kodeinën. Në vend të kësaj eksperimenti prodhoi një formë të acetilit të morfinës 1.5 deri 2 herë më të fuqishme se vetë morfina.
Nga viti 1898 deri në vitin 1910, diacetilmorfina është tregëtuar nën emrin heroinë, si një zëvendësues pa varësi i morfinës dhe si frenues i kollës.
Në SHBA, ligji i taksimit të narkotikëve në vitin 1914, vuri kontroll për shitjen dhe shpërndarjen e heroinës dhe të opiateve të tjera, i cili lejonte drogën të rekomandohej dhe të shitej për qëllime mjeksore.
Në vitin 1924, Kongresi i SHBA ndaloi shitjen, importimin apo prodhimin e heroinës. Kjo drogë tani është në Listën (Katalogun) I-rë të Konventës së vetme të Kombeve të Bashkuara të vitit 1961 për narkotikët (stupefiantët) që e bën atë joligjore për përdorime jo mjeksore.
Statusi i cannabis-it ka ndryshuar vitet e fundit. Në vitin 1937, SHBA nxorri jashtë ligjit cannabis-in për arsye të mundshme të lidhura me racizmin dhe/ose me interesa ekonomike industriale. Në vitet 2000, një numër i madh shtetesh kanë nxjerrë jashtë ligjit kultivimin, konsumimin dhe tregëtinë e cannabis-it me dënime që nisin nga më të lehtat e deri me burgim.
Para viteve 1906, esenca e kokainës ishte e veçuar si erëz dhe përdorej në pijet e ndryshme. Gjithashtu, ajo përdorej:
Pas viteve 1900 njerëzit e cilësuan si të dëmshme, duke e veçuar si një drogë.
Kokaina e pastër është përdorur për herë të parë në vitin 1880 si një mjet anastezik lokal në operacionet në sy, hundë, dhe në fyt për shkak të aftësisë së saj për të siguruar anestezi, si dhe për të ngushtuar enët e gjakut dhe për të kufizuar gjakderdhjen. Shumë prej aplikimeve të saj terapeutikë janë tani të vjetëruara për shkak të zhvillimit të drogave të sigurta.
Afërsisht 100 vjet pasi kokaina hyri në përdorim, u shfaq një variant i ri i substancës, kraku, që u bë shumë popullor në mesin e viteve 1980, për shkak të efektit të lartë dhe faktit që ishte jo i shtrenjtë për t’u prodhuar dhe për t’u blerë.
Kokaina është substancë kristalore e cila tretet me vështirësi në ujë. Pudër kristaline pa aromë, pa ngjyrë, me shije të athët. Është drogë shumë helmuse e cila shkakton varësinë tek përdoruesi dhe bën pjesë në drogat ilegale. Vartësia është kryesisht psikike, por në disa raste edhe vartësi fizike.
Kraku është pudër e hidrokloridit të kokainës që përpunohet në copëza kristali.
Me kalimin e kohës u përsos industria e përpunimit të bimëve dhe ajo kimike e për fat të keq u përsos “industria e drogës”. Edhe pse me ligj është i ndaluar kultivimi i bimëve nga të cilat përfitohen llojet e drogave, prapëseprapë ekzistojnë shume “fabrika” ilegale për përfitimin e drogave të rrezikshme.