Gjurmë të përdorimit të bimëve haluçinogjene (opiateve) shkojnë aq shumë larg në epokën parahistorike sa që disa autorë vlerësojnë se idea e Zotit do të jetë shfaqur tek njerëzit pas një eksperience me haluçinacione.
Të dhënat arkeologjike hedhin hipotezën se njeriu Neandertal mund të ketë përdorur lulekuqen mbi tridhjetmijë vjet më parë.
Referenca e parë e shkruar e njohur vjen nga një tekst sumerian që daton rreth 4000 vjet para Erës së Re.
Lulekuqja për opium është kultivuar në ultësirën e Mesopotamisë shumë kohë më parë se 3.400 vjet para Erës së Re.
Faraonët egjyptianë varroseshin me artifakte (sende) opiumi.
Opiumi mund të jetë pirë pa vështirësi në tregjet e rrugës së Romës.
Homeri, në veprën e tij “Odisea” (shekulli 8-të para Erës së Re) përshkruan përdorimin e opiateve si një drogë të quajtur “nepenthe” (bar i harresës):
Por atëhere Helena “… pati një mendim me vend. Në vazon, në të cilën vera e tyre ishte përzjerë, ajo hodhi vjedhurazi një drogë që kishte fuqi të hiqte brengën dhe zemërimin nga thumbimi i tyre dhe të largonte të gjithë kujtimet e dhimshme.”
Që nga shekulli 8-të pas Erës së Re përdorimi i opiumit është përhapur në Arabi dhe Indi
Arabët përdornin opiumin, sepse Profeti e kishte ndaluar përdorimin e alkolit dhe jo hashishin dhe opiatet.
Opiumi, gjithashtu, është përdorur gjerësisht në periudhën antike në Kinë.
Opiumi lulëzoi në Europë në periudhën e Mesjetës dhe u përhap në Botën e Re.
Tomas Jefferson kultivonte lulekuqe për opium në kopshtin e tij në Monticelle.
Në fillimin e shekullit 18-të, opiumi përdorej si drogë për rekreativitet (për qejf) në Kinë. Obori perandorak kinez ndalonte përdorimin e tij, por sasi të mëdha trafikoheshin akoma. Për shkak të opiumit Kina ka zhvilluar dy lufta.
Lufta e Parë e Opiumit (1839-1842):
Në vitin 1839, Perandori Qing, Tao Kwang, urdhëroi ministrin e tij të ndërmerrte veprime. Mbretëresha Viktoria e injoroi peticionin e Perandorit për ndihmë. Si reagim, Perandori instruktoi konfiskimin e 20.000 barrelave (fuçive) me opium dhe arrestoi disa tregtarë të huaj. Britanikët u kundërpërgjigjën duke sulmuar qytetin port Kanton. Kështu filloi “Lufta e Parë e Opiumit”. Kinezët humbën dhe u detyruan të nënshkruajnë Traktatin e Nanjng-ut, në vitin 1842. Britanikët kërkuan që tregtia e opiumit të lejohej të vazhdonte, që kinezët të paguanin një haraç të madh dhe të hapnin pesë porte të rinj për tregtinë e huaj dhe që Kina t’ia dorëzonte Hong Kong-un britanikëve. Paqja nuk zgjati shumë.
Lufta e Dytë e Opiumit (1856):
Kjo luftë filloi dhe mbaroi në vitin 1856 me kërkesat e perëndimorëve që tregjet e opiumit të zgjeroheshin. Kinezët humbën përsëri. Në vitin 1858, me anë të Traktatit të Tiencinit, importimi i opiumit u ligjërua formalisht në Kinë. Opiumi hynte në Kinë në sasi të paprecedenta. Deri në fund të shekullit 19-të, mbi një e katërta e popullsisë së rritur e seksit mashkull të Kinës ishte e droguar.
Mjekët e Greqisë antike bluanin të tërë bimën ose përdornin ekstrakt opiumi si medikament.
Galen ka listuar indikacionet mjeksore të opiumit:
“… pengon helmimin dhe kafshimin e helmuar, kuron dhimbjen kronike të kokës, marramendjen, shurdhërinë, epilepsinë, apopleksinë (dambllanë), turbullimin e shikimit, humbjen e zërit, astmën, kollën e çdo lloji, pështytjen e gjakut, ngushtimin e frymëmarrjes, dhimbjen e barkut, helmimin e luleve, verdhëzën, krijimin e gurëve në shpretkë, sëmundjet urinare, ethet, hidropsinë (edemat), lebrën, turbullimet nga të cilat vuan çdo grua, melankolinë dhe të gjitha të këqijat.”
Në shekullin 16-të u përhap shumë “laundaum” (tinikturë të morfinës). Në formë të lirë, alkaloidët e zbuluar në opium janë më pak të tretshëm në ujë, sesa në alkol. Philippus Aureolus Theophrastus Bombastus von Hohenheim (Paracelsus) (1490 – 1541) përgatiste “laundaum”, duke ekstraktuar opium në konjak, duke prodhuar “tinikturë të morfinës”.
Deri në shekullin e 19-të shishka të “laundaum”-it dhe opium i papërpunuar ishin të disponueshëm në çdo farmaci angleze. Opiumi shikohej si një medikament dhe jo si një drogë abuzimi.
Morfina është izoluar për herë të parë në vitin 1805, prej një farmacisti gjerman.
Përdorimi i shiringës hipodermike në mesin e shekullit 19-të lejoi injektimin e morfinës së pastër. Në atë kohë besohej se morfina e injektuar nuk të bënte të droguar. Në mesin e shekullit 19-të qëndrimet ndryshuan, kur vetitë droguese u bënë më të qarta.
p>Drogimi me morfinë ishte i papërmbajtur në SHBA pas përdorimit të gjerë të saj për ushtarët e gjymtuar nga të dy palët e Luftës Civile.Dr. Hamilton Wright, komisioneri amerikan për opiumin, fajsoi “vesin kinez” për kompromentimin e rinisë së vendit:
“Një nga fazat më të pafata të zakonit të tymosjes së opiumit në këtë vend (ishte) numri i madh i femrave që u përfshinë … me kinezët….”
Kërkimi shkencor filloi për një alternativë tjetër jo droguese të opiumit dhe morfinës.
Në vitin 1874, farmacisti anglez C. R. Alder Wright, që punonte në spitalin e Shën Marisë (Shkolla Mjekësore) në Londër, sintetizoi për herë të parë Diacetilmorfinën [C17H17NO(C2H3O2)2], duke zjerë anhidridin alkaloid të morfinës me acidin acetik.
23 vjet më vonë, diacetilmorfina u risintetizua në mënyrë të pavarur nga një kimist tjetër, Feliks Hoffman. Hoffmann, duke punuar në Aktiengesellschaft Farbenfabriken (sot kompania farmaceutike Bayer) në Elberfeld, Gjermani, u instruktua nga supervizori i tij Heinrich Dreser për të acetilenifikuar morfinën me objektiv për të prodhuar kodeinën. Në vend të kësaj eksperimenti prodhoi një formë të acetilit të morfinës, 1.5 deri 2 herë më të fuqishme se vetë morfina.
Nga viti 1898 deri në vitin 1910 diacetilmorfina është tregëtuar nën emrin heroinë, si një zëvendësues pa varësi i morfinës dhe si frenues i kollës.
Në SHBA, ligji i taksimit të narkotikëve në vitin 1914, vuri kontroll për shitjen dhe shpërndarjen e heroinës dhe të opiateve të tjera, i cili lejonte drogën të rekomandohej dhe të shitej për qëllime mjeksore.
Në vitin 1924, Kongresi i SHBA ndaloi shitjen, importimin apo prodhimin e heroinës. Kjo drogë tani është në Listën (Katalogun) e I-rë të Konventës së vetme të Kombeve të Bashkuara të vitit 1961 për narkotikët (stupefiantët) që e bën atë joligjore për përdorime jo mjeksore.
Në mjeksi, termi opiate përshkruan një alkaloid opioid narkotik të gjetur si produkt natyral në bimën e lulekuqes për opium, Papaver somniferum (familja Papaveracea).
Opiumi është një ekstrakt i rrjedhur nga boçet (frutet) e kësaj lloj lulekuqeje.
Termi opiate shpesh përdoret në mënyrë jo korrekte për të përshkruar të gjitha drogat me veprim farmakologjik si opiumi ose morfina, të cilët klasifikohen më qartësisht nën termin më të gjerë opioidë.
Opioidët gjysëmsintetikë të tillë si hidrokodoni, hidromorfina, oksikodoni dhe oksimorfina, megjithëse derivojnë prej opiateve, nuk janë vetë opiate.
Opiatet kryesore psikoaktive janë morfina, kodeina, tebaina, papaverina, noskapina dhe afërsisht 24 alkaloidë të tjerë janë, gjithashtu, prezentë në opium, por kanë pak, ose aspak, efekt në sistemin nervor qendror (SNQ) të njeriut dhe si të tillë nuk konsiderohen si opiate.
Sasi shumë të vogla të hidrokotonit dhe të hidromorfinës janë zbuluar në analizimin e opiumit në raste të rralla; ato shfaqen të prodhuara nga bima në rrethana dhe në procese që nuk janë kuptuar në këtë moment dhe mund të përfshijnë veprimin e bakterieve.
Dihidrokodeina, oksimorfoli, okskodoni, oksimorfoni, metoponi dhe derivate të tjerë të mundshëm të morfinës dhe/ose hidromorfonit, gjithashtu, janë zbuluar në sasi gjurmësh në opium.
Morfina është izoluar për herë të parë në vitin 1805.
Heroina, jashtëzakonisht “helmuese”, është një derivat i prodhuar duke shtuar tek morfina 2 grupe acetil. Është sintetizuar për herë të parë në vitin 1875.
Në opiatet analgjezikë përfshihen jo vetëm drogat e derivuara nga “boçja” e opiumit dhe morfina, por gjithashtu drogat sintetike që kanë veprim të ngjashëm mjeksor me morfinën, si p.sh. petidina, metadoni dhe dekstropropoksifeni.
Është përdorur Paregorik (Paregoric), morfinë e përzjerë me një solucion alkoli.
Gjithashtu, njihet përdorimi i Demerol-it dhe Metadon-it - opium sintetik - substancë e prodhuar në laboratore.
OPIATE | GJYSËMSINTETIKË | SINTETIKË |
---|---|---|
Opium | Heroinë | Fentanil |
Morfinë | Hidrokodon | Metadon |
Kodeinë | Hidromorfon | Tramadol |
Oksikodon | ||
Oksimorfon | ||
Buprenorfinë |
Afghanistani: kultivuesi i parë i lulekuqes për opium që nga viti 2003 - Prodhon 93% të furnizimit botëror. Afghanistani përgjegjës për 74% të prodhimit të opiumit në botë, në vitin 2012.
Burma: kultivuesi i dytë, prodhim në rritje.
Laosi: kultivimi i lulekuqes për opium që nga viti 2010 është rritur 127%.
Ka një rritje të prodhimit të opiumit në Burma dhe në Republikën Demokratike Popullore të Laosit, për të plotësuar kërkesën që rritet në Azi.
90% e heroinës së konsumuar në Europë vjen nga Azia Jugperëndimore. Në Bashkimin Europian (BE) konsumohen 135 ton heroinë në vit. Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia janë tregjet më të mëdha në BE. 6.1 ton heroinë u konfiskua në Europë në vitin 2011 (sasia më e vogël në dhjetë vitet e fundit).
Meksika dhe Kolumbia janë prodhuesit më të mëdhenj në Amerikë, duke plotësuar tregun e SHBA. Ka një rritje të shpejtë të përdorimit të heroinës në SHBA dhe rënie në Europë.
Ka një përdorim në rritje të heroinës, opiumit dhe opioidëve sintetikë në Azi dhe Afrikë.
Të ardhurat vlerësohen 12 miliardë EURO në vit.
Niveli i konsumit të heroinës në botë:
Duke qënë depresantë të sistemit nervor qendror përdorimi frekuent i këtyre drogave sjell tolerancë dhe të gjithë kanë mundësi për varësi ndaj tyre. Midis tyre, heroina është më e forta, më e abuzuara dhe më e rrezikshmja, e shoqëruar me sjellje kriminale.
Nëse droga ndalohet, simpomat e zvjerdhjes (abstinencës) mund të shfaqen disa javë pas përdorimit të fundit. Frika nga këto efekte të simptomave mund të jetë një shtytje për të vazhduar përdorimin. Në përdoruesit e rregullt, vesi i kësaj droge shpesh shoqërohet nga një mënyrë jetese që varet e përcaktohet nga kjo drogë.
Lateksi (lëng si qumësht) i përftuar nga boçet e lulekuqes për opium (Papaver somniferum L.) thahet. Ky material (opiumi) hidhet në trajtë dispersioni në një tretësirë ujore të hidroksidit të kalciumit (gëlqere e shuar) - Ca(OH)2. Alkaliniteti rregullohet duke shtuar klorur amoni - NH4Cl, duke shkaktuar kështu një precipitat të morfinës bazë. Morfina e ndarë zjehet me anhidrid acetik - (CH3CO2)2O. Shtimi i karbonatit të natriumit - NaCO3 çon në ndarjen e diamorfinës bazë bruto. Sipas rajonit, kjo substancë mund të konsumohet siç është, të purifikohet apo të transformohet në hidroklorid.
Anhidridi acetik - (CH3CO2)2O, një prekursor thelbësor në prodhimin e heroinës, është i listuar në Listën (Katalogun) e I-rë të Konventës së vitit 1988 të Kombeve të Bashkuara kundër trafikut të paligjshëm të drogave narkotike (stupefiantëve) dhe substancave psikotrope.
Deri në fund të viteve 70, pothuajse e gjithë heroina e konsumuar në Europë vinte nga Azia Juglindore.
Sot, heroina vjen kryesisht nga Azia Jugperëndimore, kryesisht nga Afganistani dhe Pakistani.
Heroina nga Azia Jugperëndimore është një pluhur ngjyrë kafe; është në përgjithësi në formën e një baze të lirë, e patretshme në ujë, por e tretshme në tretësa organikë. Heroina nga Azia Juglindore, më pak e zakonshme, zakonisht është një pluhur i bardhë që vjen në formën e një kripe të hidrokloridit të hidratuar, e tretshme në ujë, por e patretshme në tretësa organikë.
Heroina që vjen nga Azia Jugperëndimore mund të konsumohet, duke ngrohur formën e ngurtë në një fletë metali mbi një flakë të vogël dhe duke thithur më tej avullin që del.
Për tu injektuar, kjo formë e heroinës duhet së pari të shkrihet (tretet), për shembull me acid citrik ose acid askorbik. Heroina që vjen nga Azia Juglindore mund të injektohet direkt në formë solucioni. Një dozë tipike është 100 mg me pastërtinë e heroinës së shitur në rrugë.
Gëlltitja e diamorfinës/heroinës përbën një rrugë të konsumimit shumë më pak efektive.
Heroina përdoret gjërësisht, në Britanin e Madhe dhe në Belgjikë, për trajtimin e dhimbjeve akute tepër të forta, si p.sh. ato që vijnë pas një goditje në zemër. Nuk përdoret nga mjekësia e vendeve të tjera.
Opiate të tjera, si morfina e metadoni, përdoren si analgjezikë. Shumica e opiateve janë të klasifikuara si droga të Listës (Katalogut) të I-rë të Konventave të Kombeve të Bashkuara kundër trafikut të paligjshëm të narkotikëve (stupefiantëve) dhe substancave psikotrope.
Opiatet e “buta” si kodeina (codeine) përfshihen ndonjëherë në ilaçet për ndalimin e kollës dhe në preparatet kundër diarresë dhe janë të përfshira në Listën (Katalogun) e IV-të të Konventave të Kombeve të Bashkuara kundër trafikut të paligjshëm të narkotikëve (stupefiantëve) dhe substancave psikotrope.
Opiatet e forta induktojnë një ndjenjë vetkënaqësie e lumturie. Dhimbja sikur ikën dhe aktiviteti i sistemit nervor qendror depresohet.
Frymëmarrja dhe ritmi i zemrës ulen dhe refleksi i të kolliturit frenohet.
Ata që i përdorin këto droga për herë të parë kanë marrje mendësh e të vjella.
Me doza më të larta, rriten shanset për humbje të vetëdijes; nganjëherë kjo sjell koma e në raste të rralla çon në vdekje nga ndalimi i frymëmarrjes.
Përveç ndjenjës fillestare të euforisë, efektet afatshkurtëra të heroinës përfshijnë një nxehje të lëkurës, gojën e thatë dhe gjymtyrët e rënduara. Pas ndjenjës fillestar euforike, përdoruesi provon një gjendje të alternuar të të qënit zgjuar dhe të përgjumjes. Për shkak të depresionit të sistemit qendror nervor, funksionimi mendor bëhet i mjegulluar (i turbullt).
Efektet afatshkurtëra të abuzimit me heroinë shfaqen menjëherë pas marrjes së drogës.
Injeksioni intravenoz ofron intensitin më të madh dhe ardhje më të shpejtë të ndjenjës euforike fillestare që provojnë përdoruesit. Përdoruesit intravenozë zakonisht provojnë ndjenjën euforike brenda 7-8 sekonda pas injektimit, ndërsa injeksion intramuskular prodhon një fillim të ngadaltë të kësaj ndjenje euforike, duke marrë 5-8 minuta.
Kur heroina thithet nga hunda, kulmi i efekteve të drogës ndihet zakonisht brenda 10-15 minutave.
Doza vdekjeprurëse minimale është vlerësuar në 200 mg, por personat e varur mund të tolerojnë deri në dhjetë herë këtë dozë.
Përdorimi për një kohë të gjatë i opiateve sjell konstipacion (kapsllëk), ulje të dëshirës seksuale, çrregullim të ciklit menstrual dhe ulje të oreksit.
Mosushqimi dhe cilësia e ulët e ushimeve, shoqëruar këto me neglizhim personal, mund të sjellin një shëndet të dobët të individit.
Drogat e rrugës janë shpesh të përziera (“cut” - në anglisht) me substanca të tjera si kafeinë, kininë, pudër talk, miell, etj, të cilat mund të dëmtojnë enët e gjakut dhe bllokojnë mushkëritë.
Ka rrezik për absese në vendin e injektimit.
Infeksionet e rrezikshme, siç janë hepatiti, sifilisi dhe virusi i imuno-defiçiencës njerëzore (HIV), mund të transmetohen nga përdorimi i shiringave të papastra që përdoren disa herë rradhasi nga i njëjti përdorues, apo kur këmbehen nga përdorues të ndryshëm.
Shkëputja e menjëhershme nga opiatet, disa javë pas përdorimit të rregullt, sjell një tip sindrome të ngjashme me gripin, shenja të cilat fillojnë 6-24 orë pas marrjes së dozës së fundit. Simptomat mund të përfshijnë: rrjedhje nga hundët e nga sytë, djersë të ngrohta e të ftohta (rrënqethje), pagjumësi, dhimbje muskujsh, dridhje, marrje mendësh, të vjella, diarre, ngërçe muskulare e spazma abdominale. Këto efekte arrijnë kulmin 48-72 orë pas ndalimit të drogës dhe, gradualisht, zhduken pas 7-10 ditësh.
Një përdorues i opiateve mund të tregojë shenja të tilla si apati, neglizhim të paraqitjes personale e të higjenës, humbje oreksi dhe rënie në peshë, humbje të interesit për argëtimet e “hoby”-t e mëparshme, mospërfillje ndaj aktiviteteve sociale, ndaj personave që e rrethojnë dhe ndaj detyrimeve individuale.
Përdoruesit shpesh orientohen drejt krimit për të vazhduar financimin e vesit të tyre. Shënjat e intoksikimit përfshijnë pupila (bebe të syrit) si të ngurtësuara në një pikë dhe një paraqitje të paorientuar që shpesh i ngjan sjelljes së një të dehuri.
Opiatet, në mënyrë të rrezikshme, rrisin rreziqet sedative të çdo droge me efekte qetësues në sistemin nervor qendror, përfshirë këtu barbiturikët dhe alkoholin.
Tek përdoruesit kronikë mund tu zhvillohen çarje të venave, infeksion i pareteve dhe i valvulave të zemrës, abscese dhe sëmundje të mëlçisë.
Gjithashtu, në përdorues kronikë mund të rezultojnë komplikime pulmonare, përfshirë këtu tipe të ndryshme të pneumonisë.
EFEKTET AFATSHKURTËR TË OPIATEVE | EFEKTET AFATGJATË TË OPIATEVE |
---|---|
“Rush” (Afsh) | Varësi |
Frymëmarrje e dobësuar | Semundje infektive si HIV/SIDA, Hepatite |
Funksionim mendor i shtrembëruar | Shkatërrim i venave |
Të përzjera dhe të vjella | Absese dhe infektime bakteriale |
Largim i dhimbjes | Infektimi i pareteve dhe valvolave të zemrës |
Dështim spontan | Artrite dhe problem të tjera rheumatologjike |