Kirurgjia e Stenozës Cervikale dhe Myelopatisë Cervikale

Hyrje

Ngushtimi i kanalit vertebral në pjesën e qafës quhet stenoza cervikale e kolonës vertebrale. Ky ngushtim mund të vijë si rrjedhojë e një hernieje diskale apo patologjive degjenerative cervikale. Me përparimin e ngushtimit mund të ndodhë shtypja (komprimimi) i një ose disa rrënjëve nervore (radiculopathy) ose e palcës kurrizore (myelopathy).

Dhimbja e qafës, e krahut, ndryshime ndjesore apo në format e rënda: dobësi muskulare, humbje ekuilibri apo pamundësi për të kryer veprime të imëta si mbërthim-zbërthim kopse etj; janë disa nga shenjat klinike.

Ekzaminimi klinik në kombinim me ekzaminime si radiografi të pjesës cervikale apo CT, MRI vendosin diagnozën dhe analizojnë llojin e ndërhyrjes kirurgikale të nevojshme. Diagnoza e saktë dhe e hershme është thelbësore për të kryer ndërhyrjen kirurgikale në mënyrë që të parandalohet paraliza graduale.

Operacioni

Kryesisht përdoren tre teknika operatore për trajtimin kirurgikal të patologjisë së mësipërme.

  • a) dekomprimimi i pasëm
  • b) dekomprimimi i përparshëm
  • c) dekomprimimi i kombinuar.

Dekomprimimi i pasëm konsiston në zgjerimin e kanalit vertebral duke hequr murin e pasëm të tij (laminectomy). Ky operacion kryhet me ndërhyrje në pjesën e pasme të pjesës cervikale të kolonës vertebrale në kombinim me stabilizim të pasëm (posterior fusion).

Dekomprimimi i përparshëm konsiston në heqjen e diskut intervertebral në nivelin që shkakton presion nbi palcën e kurrizit (discektomy), ose heqje të një apo të dy vertebrave cervikale bashkë me disqet ndëmjetëse. Në vend të tyre vendosen cilindra metalikë të cilët mbushen me ind kockor (graft) që merret nga bacini i pacient (autologus) ose i gatshëm (i përpunuar) nga kadavra (allograft).

Në raste të rënda kombinimi i të dy procedurave të mësipërme përbën nevojë të domosdoshme për zgjidhjen e problemit.

Udhëzime të përgjithshme

Pacienti qëndron në spital 4 deri në 6 ditë pas operacionit. Në 24 orët e para lejohet të ngrihet koka e krevatit në mënyrë qe të lehtësohen lëvizjet frymëmarrëse të kraharorit. Gradualisht dhe me ndihmën e fisioterapistit ndiqet protokolli i rehabilitimit dhe kryhen nevojat të përgjithshme p.sh.: ecje, ulje në karrige etj.. Trauma operatore duhet të kontrrollohet pas banjës.

Pacienti kthehet në shtëpi kur ndihet rehatshëm dhe kontrollon aktivitetet e përditshme. Pacienti mund të kthehet ne punë pas një periudhe 6 javësh pas operacionit, gjithmonë në varësi profesionit. Për një periudhë 3 mujorë është e nevojshme që të mbahet një support cervikal të fortë në mënyrë që të lehtësohen lëvivjet dhe të ruhet operacioni deri në momentin (muaji i tretë) që grafti të jetë ngjitur.

Udhëzime të hollësishme jepen në lidhje me rikthimin në aktivitetet e jetës së përditshme.

Komplikacionet

Si çdo procedurë kirurgikale, ekziston rreziku i komplikacioneve. Jane te rralla, gjithsesi pacienti duhet të informohet përpara operacionit.

Keto mund te jene:

  • Komlikacione në lidhje me anestezine
  • Infeksioni (shumë i rrallë).
  • Dëmtimi i nervave është një potencial rreziku i mundshëm dhe mund të rezultojë në dhimbje në krah, mpirje apo dobësi grup muskujsh. Ky komplikacion ndodh për shkak të pozicionit të ri që merr rrënja nervore.
  • Rrjedhja e lëngut cerebrospinal mund të ndodhë rrallë, por nëse ndodh mund të shkaktojë dhimbje kokë për disa ditë.
  • Vështirësia në gëlltitje (Disfagia) ose ngjirje zëri (Disphonia) në ditët e para pasoperatore. (Të rralla dhe me kalimin e ditëvë përmirësohen).
Ky artikull është dërguar nga:
Ky artikull është lexuar 538 herë
Artikuj të tjerë ne specialitetin Kirurgji ortopedike

Regjistrimi i mjekut

×
* Ky funksion është i nevojshëm vetëm për mjekët e regjistruar në website.