Menopauza
Çfarë është menopauza?
Menopauza është ajo periudhë e jetës së femrës në të cilën menstruacionet pushojnë dhe nuk vijnë më kurrë. Menopauza është pjesë e procesit natyral të plakjes tek femra. Në këtë fazë vezoret nuk prodhojnë më ovocite (vezë) dhe hormonet estrogjen dhe progesterone dhe femra e ka të pamundur shtatzaninë.
Kur femrat hyjnë në menopauzë?
Mosha mesatare në të cilën femrat hyjnë në menopauzë është 52 vjec. Megjithatë ajo mund të variojë nga 42 në 56 vjec. Menopauza instalohet kur një femër në këtë moshë ka një vit pa menstruacione.
Çfarë është “premenopauza”?
Hyrja në menopauzë nuk ndodh brenda ditës; pra nuk është e menjëhershme. Ajo paraprihet nga një fazë disa mujore ose disa vjecare që quhet premenopauzë. ‘Premenopauza’ përfaqëson ato vite përpara instalimit të menopauzës në të cilat femra fillon të përjetojë simptomat e para të menopauzës. Por në shumicën e rasteve, në zhargonin e përditshmëm femrat e përfshijnë perimenopauzën në menopauzë.
Cilat janë shenjat e menopauzës?
Menopauza duke qenë një pjesë normale e jetës së femrës nuk duhet të konsiderohet si sëmundje apo si problem. Megjithatë, disa femra e kanë të veshtirë të përjetojnë dhe të ambientohen me simptomat e saj që shkaktohen nga mungesa e hormooneve.
Duhet patur parasysh se femrat e përjetojnë në mënyra të ndryshme menopauzën. Disa mund të mos kenë asnjë shenjë apo simptomë, ndërkohë që disa të tjera të kenë simptoma më serioze.
Shenja kryesore është ndryshimi në menstruacione të cilat bëhen të crregullta (shumë afër ose shumë larg), dhe kur fluksi i gjakut ndryshon (pakësohet ose bëhet më i bollshëm). Më në fund ato ndalojnë totalisht. Shenja të tjera mund të jenë:
- Pagjumësia
- Rritja në peshë
- Djersitjet natën
- Afshet e nxehta
- Lodhja
- Dhimbjet e artikulacioneve
- Tharje të vaginës
- Probleme me memorien
- Infeksione urinare
- Ndryshime në humor
- Prurit në lëkurë
- Depresion
Në shumicën e rasteve këto shenja zhduken pas vitit të parë të menopauzës.
Problemet madhore të menopauzës
Problemet më serioze që një femër mund të përjetojë gjatë menopauzës janë ato të lidhura me osteoporozën dhe zemrën.
Osteoporoza. Cdo ditë trupi i njeriut “shkatërron” indin e vjetër kockor duke e zëvendësuar me ind të ri kockor. Në këtë rigjenerim estrogjenët kanë një rol kryesor. Menopauza karakterizohet nga mungesa e estrogjenëve dhe për këtë arsye rigjenerimi i kockave nuk ndodh. Për këtë arsye ato bëhen më poroze dhe shpesh frakturohen me lehtësi. Frakturat më të shpeshta që jep osteoporoza tek femrat në menopauzë janë ato të qafës së femurit dhe ato të vertebrave. Kjo gjendje quhet osteoporozë. Për këtë arsye femrat që janë mbi 45 vjeç duhet të kryejnë ekzaminime specifike rutinë për dendësinë e kockave (densitometria kockore).
Sëmundjet kardiake. Në menopauzë, femrat janë shumë të predispozuara të preken nga sëmundjet kardiake. Edhe këtu akuzohet mungesa e estrogjenëve si shkak. Problemet mund të agravohen edhe me shtimin e faktorëve të tjerë si mbipesha, shfaqja e diabetit apo hipertensionit. Të gjitha këto ndryshime rrisin rrezikun për shfaqjen e sëmundjeve kardiake. Për këtë arsye femrat në këtë periudhë të jetës duhet të kontrollohen rregullisht tek kardiologu, të kenë një dietë të ekuilibruar, të mbajnë në kontroll gliceminë, yndyrnat në gjak dhe të kryejnë vazhdimisht ushtrime fizike. Në këtë mënyrë rreziku për sëmundje të zemrës do të reduktohet.
A përjetohen njësoj simptomat e menopauzës?
Menopauza është një eksperiencë që femrat e përjetojnë në mënyrë të ndryshme. Mënyra e përjetimit lidhet me faktorët gjenetikë, dietën, stilin e jetës dhe qëndrimin social-kulturor ndaj femrës në ambientin ku ajo jeton.
- Femrat në zonat rurale dhe ato që kanë lindur shumë fëmijë ankohen shumë më pak për simptomat e menopauzës.
- Femrat që kanë një jetë sedentare, kanë një dietë të pasur me karbohidrate dhe yndyrna, ato që kanë lindur pak fëmijë zakonisht ankohen më shumë për simptomat e menopauzës.
Çfarë është menopauza e parakohëshme?
Menopauza e parakohëshme ndodh atëherë kur femra hyn në në menopauzë më përpara se norma. Kjo mund të ndodhë në mënyrë të menjëhershme ose graduale në situatat e mëposhtme:
Menopauzë e para kohëshme e menjëhershme:
- Operacionet që shoqërohen me heqjen e ovareve.
- Kimioterapia për trajtimin e kancerit.
- Radioterapia për trajtimin e kancerit.
Menopauzë e para kohëshme graduale:
- Vezoret pushojnë funksionin e tyre shumë më përpara. Disa femra përjetojnë ndalimin shumë herët të menstruacioneve (përpara moshës 40 vjec). Kjo situatë i detyrohet rezervës ovariane shumë të reduktuar që ato kanë.
Në gjitha këto situata vezoret ose hiqen ose nuk arrijnë të prodhojnë më hormone. Femrat që hyjnë në menopauzë në mënyrë të menjëhershme dhe para kohe i përjetojnë më shumë simptomat e menopauzës dhe për këtë arsye kanë nevojë për terapi hormonale zëvendësuese.
Si duhet të përgatiten femrat për menopauzën?
Menopauza është një stad i rëndësishëm në jetën e femrës. Për disa mund të jetë një periudhë e vështirë e pasur me probleme fizike dhe emocionale. Për disa të tjera ajo është një periudhë rilindje. Jo më kot shumë femra përjetojnë një rritje të aktivitetit fizik në menopauzë që quhet ndryshe edhe zelli i menopauzës.
Disa nga masat që rekomandohen janë si më poshtë:
- Mos pini duhan.
- Të keni një dietë të shëndetshme: me pak yndyrna, me shumë fibra, me shumë fruta, perime dhe të pasura në minerale dhe vitamina.
- Sigurohuni që të merrni sa duhet calcium dhe vitamin D – përmes dietës ose përmes medikamenteve që mund të përshkruajë mjeku.
- Mbajtja e peshës trupore brenda normës.
- Të kryeni aktivitet fizik të vazhdueshëm.
- Konsumi i sa më shumë likideve.
- Konsumi i pijeve të ftohta kur shfaqet një afsh i nxehtë.
- Përdorni veshje të lirshme në mënyrë që lëkura të respirojë normalisht.
- Të përdoren lubrifikantë vaginalë ose krem vaginal / vullvar me përmbajtje estrogjenësh.
- Kontrolle rutinë që përfshijnë: pap-test, ekografi gjinekologjike, mamografi dhe ekografi mamare.