Dërguar nga:

Histeroskopia

Histeroskopia është një procedurë e cila përdor një teleskop në formë tubi (histeroskop) për të vizualizuar brendësinë e kavitetit (zgavrës) të mitrës. Ajo është edhe një teknikë që lejon kryerjen edhe të interventeve të ndryshme kirurgjikale në kavitetin e mitrës.

Pra, histeroskopia mund të jetë diagnostike (kur kufizohet vetëm në vizualizimin e kavitetit të mitrës) dhe operative (kur kryen intervente të ndryshme në brendësi të kavitetit të mitrës).

Histeroskopi është një instrument shumë i hollë (3-5 mm në diametër). Ai kalon përmes vaginës dhe qafës së mitrës në brendësinë e kavitetit të mitrës. Histeroskopi ka një kamera brenda tij, e cila bën të mundur përftimin e imazheve në kohë reale të kavitetit të mitrës. Në këtë mënyrë gjinekologu mund të përcaktojë anomali të ndryshme.

Përveç kamerës, histeroskopi ka edhe kanale të tjerë përmes të cilëve gjinekologu mund të kalojë instrumenta të tjerë për të realizuar intereventin e duhur.

Përse përdoret histeroskopia?

Në rastet e mëposhtme histeroskopia është e nevojshme pasi mund të gjejë shkakun e anomalive të ndryshme (histeroskopia diagnostike):

  • Hemorragji uterine anormale
  • Menstruacione me fluks dhe/ose kohëzgjatje të shtuar
  • Hemorragji jashtë menstracioneve
  • Hemorragji në menopauzë
  • Hemorragji gjatë terapisë zëvendësuesë hormonale
  • Aborte të pashpjegueshme ose të përsëritura
  • Fertilizime in vitro të pasukseshme.

Në raste të tjera histeroskopia mund të përdoret për të trajtuar probleme / anomali të ndryshme të mitrës (histeroskopia operative):

  • Heqjen e polipeve endometriale (të shtresës që vesh kavitetin e mitrës)
  • Heqjen e miomave submukoze (nën shtresën që vesh kavitetin e mitrës) dhe atyre intrakavitare (që zhvillohen në brendësi të kavitetit).
  • Heqjen e aderencave të ndryshme (zona ku muret e mitrës janë të ngjitura mes tyre).
  • Lokalizimi dhe heqja e një sterileje (kontraceptiv mekanik) që mund të ketë "humbur" ose fiksuar në kavitet.
  • Korrigjimin e anomalive të lindura të mitrës si septumi uterin (mur / perde që ndan kavitetin e mitrës në mes) apo kaviteti uterin i vogël (e ashtuquajtura mitër e vogël).

Histeroskopia operative mund të përdoret edhe në situata të tjera:

  • Si fazë që paraprin fertilizimin in vitro me qëllim rritjen e shanseve të suksesit të këtij të fundit.
  • Sterilizimin tubar permanent.
Cfarë ndodh para histeroskopisë?

Zakonisht histeroskopia paraprihet nga ekografia transvaginale. Kjo me qëllim përcaktimin sa më të mirë të diagnozës.

Përpara histeroskopisë, ashtu si përpara cdo lloj procedure kirurgjikale duhet të ekzistojë një process informimi i pacientes për nevojën e histeroskopisë, efektet (pozitive dhe anesore) dhe alternativat e saj. Vetëm pas konsensusit të informuar të pacientes mund të zhvillohet procedura.

Cfarë ndodh gjatë histeroskopisë?

Histeroskopia mund të kryhet nën anestezi gjenerale ose nën anestezi lokale. Në rastin e parë pacientja është në gjumë, ndërkohe që në rastin e dytë ajo është zgjuar. Gjatë histeroskopisë me anestezi lokale pacientja edhe mund të shikojë në monitor ecurinë e procedurës nqs dëshiron.

Kuptohet që edhe gjatë histeroskopisë nën anestezi lokale pacientja nuk ndjen dhimbje.

Fillimisht montohet spekulumi ne vaginë përmes të cilit gjinekologu vizualizon qafën e mitrës. Pas kësaj, ai kalon histeroskopin përmes qafës së mitrës në brendësi të kavitetit të mitrës.

Histeroskopi përmes kamerës që ka në majë, dhe përmes manovrimeve të gjinekologut dot të vizualizojë kavitetin e mitrës në cdo pikë të tij. Gjatë procedurës, përmes kanaleve të histeroskopit mund të kalohen fluide në brendësi ta kavitetit për ta zgjeruar atë. Kjo do të përmirësojnë vizualizimin dhe manovrimin e gjinekologut operator.

  • Gjatë procedurës mund të merren pjesëza nga endometriumi (shtresa që vesh kavitetin e mitrës) për tu ekzaminuar nën mikroskop (biopsi). Kjo do të shpjegonte shkakun e shumë hemorragjive anormale uterine.
  • Nqs janë të pranishëm polipe apo mioma submukoze / intrakavitare atëherë histeroskopia operative zgjat pak më shumë. Të gjitha pjesët që hiqen (polipe, mioma) dërgohen për biopsi.
  • Polipet dhe miomat submukoze në disa raste mund të shkaktojnë hemorragji uterine anormale.
  • Në rastin e anomalive të lindura si për shembull septumet uterine (perde që ndak kavitetin në 2 pjesë) këto korrigjohen plotësisht duke e kthyer kavitetin e mitrës në një zgavër të vetme.
  • Në rastin e kavitetit të vogël, ai zmadhohet duke prerë lateralisht dhe në tavanin e kavitetit; në këtë mënyrë kaviteti zmadhohet dhe bëhet më i përshtatshëm për pritjen e një shtatzanie.
  • Në rastin kur histeroskopia i paraprin fertilizimit in vitro, atëherë përmes histeroskopit kryen disa lezione (brazda) në muret e brendshme të mitrës të cilat rrisin shanset për shtatzani.
  • Nqs janë të pranishme aderenca të ndryshme (sineki) ato do të eliminohen të gjitha deri në lirimin e kavitetit.

Pas përfundimit të procedurës e cila zakonisht zgjat 5-30 minuta, histeroskopi tërhiqet jashtë kavitetit të mitrës.

Çfarë duhet të presë pacientja pas histeroskopisë?

Periudha post-operatore është shumë e lehtë për pacientet.

  • Efektet e anestezisë së përgjithshme të përdorur për histeroskopi zgjatin vetëm disa orë.
  • Nqs procedura është kryer nën anestezi gjenerale atëherë pacientja nuk duhet të konsumojë ushqim për disa orë.
  • Nqs procedura është kryer nën anestezi gjenerale, atëherë pacientja ka nevojë për një familjar që ta shoqërojë atë në shtëpi edhe pse ajo mund të duket e zgjuar.
  • Në rastin e procedurës nën anestezi lokale, pacientja është në gjëndje të dalë vetë nga spitali, të udhëtojë me autobus, tren apo edhe të drejtojë makinën.
  • Shumica e pacienteve nuk ndjejnë aspak dhimbje. Një pjesë e vogël mund të ndjejë dhimbje në formën e krampeve të menstruacioneve për 5-7 ditë.
  • Në rastet e histeroskopisë operative pacientja mund të ketë për 2-4 javë hemorragji uterine minimale. Të gjitha këto nuk përbëjnë motiv për shqetësim.
  • Për të minimizuar rrezikun infektiv, si pas cdo lloj procedurë gjinekologu do të rekomandojë mjekim me antibiotikë për disa ditë.
  • A ka efekte anësore histeroskopia?

    Efektet anësore më të shpeshta janë dhimbja dhe hemorragjia minimale të cilat u përmendën më sipër. Shumë rrallë mund të ndodhë perforimi apo infeksioni. Për të minimizuar sa më shumë këto komplikacione (edhe pse shumë të rralla) pacientja duhet të informojë mjekun / spitalin në rast se ka:

    • Temperaturë
    • Dhimbje me intensitet në rritje
    • Rrjedhje vaginale me aromë jot ë mirë dhe gjithnjë në rritje si fluks
    • Hemorragji e shtuar
    Ky artikull është dërguar nga:
    Ky artikull është lexuar 750 herë
    Artikuj të tjerë ne specialitetin Obstetrike-Gjinekologji
    Sondazh

    A do te kryenit një konsultë online me pagesë me një mjek?

    Dergo voten