LEEP (Loop Electrosurgical Excision Procedure)
- Një nga teknikat për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës.
- Metodë e sigurtë dhe efikase.
Në shumicën e rasteve, qelizat anormale të qafës së mitrës shërohen në mënyrë spontane. Megjithatë, shpesh herë ato mund të zhvillohen deri në kancer. Trajtimi që u bëhet qelizave prekanceroze është shumë efikas në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Prandaj është shumë e rëndësishme për femrat kryerja e Pap-test-it në mënyrë të rregullt dhe ndjekja me kujdes e çdo lloj anomalie qelizore. LEEP është një nga trajtimet që rezervohet në rastin e qelizave parakanceroze.
Çfarë është LEEP?
LEEP vjen nga anglishtja dhe është shkurtim procedurës së quajtur Loop Electrosurgical Excision Procedure. Përkthimi në shqip do të ishte procedurë ekscizioni elektrokirurgjikal me ansë. LEEP kryen heqjen e indit jo normal duke e prerë atë me anë të një anse (LOOP) që mbart rrymë elektrike. Mund të kryhet në rast të Pap Test-i anormal, gjatë një kolposkopie apo edhe kur indikohet biopsia e qafës së mitrës.
Sa efikase është LEEP?
LEEP e kuron problemin (gjendjen prekanceroze) në 90% të rasteve. Në rast se LEEP nuk e kuron problemin, ajo mund të ripërësitet ose të pasohet nga një tjetër procedurë që mjeku gjinekolog do të zgjedhë për trajtimin e mëtejshëm.
Si kryhet LEEP?
LEEP zakonisht zgjat rreth 10 minuta. Mund të kryhet në kushte ambulatore ose në spital. Kërkon vecse anestezi lokale. Pacientja qëndron në pozicion gjinekologjik. Më pas kryhet evidentimi i qafës së mitrës me anë të spekulumit dhe aplikimi i solucioneve të ndryshme (ac acetic apo Lugol) mbi të në mënyrë që zonat me qeliza anormale të duken më qartë. Me anë të ansës, zonat e dyshimta hiqen dhe dërgohen për biopsi e cila do të vërtetojë që procedura ka rezultuar me sukses. Në përfundim të procedurës mund të kryhet edhe koagulimi i vazave për të kontrolluar hemorragjinë (nqs ka).
Në cilën periudhë të ciklit kryhet LEEP?
LEEP kryhet pas mbarimit të menstruacioneve.
Çfarë pritet pas procedurës LEEP?
- Mund të jenë të pranishme dhimbje të lehta në formën e krampeve, të cilat mund të kërkojnë përdorimin e paracetamolit apo ibuprofenit.
- Mund të ketë sekrecione transparente apo lehtësisht në ngjyrë kafe të errët. Kjo mund të zgjasë 2-4 javë dhe nuk është aspak e rëndësishme.
- Në 3-4 javët në vazhdim nuk duhet përdorur tualet intravaginal apo tampone.
- Në 3-4 javët në vazhdim duhet shmangur kontakti seksual.
LEEP dhe shtatzania
Zakonisht, gjinekologët e shtyjnë procedurën LEEP deri pas lindjes nqs pacientja është shtatzanë. Kjo shtyrje nuk e vë pacienten në rrezik pasi evolucioni i qelizave prekanceroze të qafës së mitrës në qeliza kanceroze është shumë i ngadaltë.