Operacioni çezarian
Operacioni cezarian është një intervent kirurgjikal i cili rekomandohet në ato raste kur lindja natyrale nuk është e mundur ose kur paraqet rrezik për shëndetin / jetën e nënës dhe / ose të fetusit.
Gjatë këtij operacioni, përmes një incizioni horizontal prej 10 cm (e ashtuquajtura laparotomi Pfannestiel) në fund të barkut, kryhet hapja e mitrës me qëllim nxjerrjen (ekstraksionin) e bebit.
Perceptimi për lindjen me operacion cezarian ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve. Dikur kjo lindje konsiderohej si alernativa e fundit për të përfunduar lindjen. Megjithatë, në ditët e sotme, mjaft femra zgjedhin të lindin me anë të operacionit cezarian, edhe pse nuk është e nevojshme. Kjo për faktin e thjeshtë se ato nuk duan të përjetojnë një lindje të zgjatur (frikë kjo në shumicën e rasteve e ekzagjeruar dhe e pajustifikuar). Megjithatë shumica e mjekëve obstetër respektojnë vendimin e pacientes.
Kur indikohet lindja me operacion cezarian?
Zakonisht një lindje rekomandohet të kryhet me operacion cezarian në rastet e mëposhteme:
- Kur koka e bebit është shumë e madhe për të kaluar me siguri dhe pa komplikacione përmes kanalit të lindjes, ose kur pelvizi matern (baçini i nënës) është shumë i ngushtë për të lejuar kalimin e sigurtë dhe pa komplikacione të kokës së bebit. Të dyja këto situate njihen me emrin e përbashkët disproporcion cefalo-pelvik.
- Kur bebi nuk ka marrë pozicionin e duhur në mitër për një lindje natyrale.
- Kur lindja e mëparshme është kryer po me operacion cezarian.
- Kur pacientja ka patur në të kaluaren operacione në mitër (heqje të miomave, të septumeve etj).
- Në rast se kemi shtatzani multiple (binjakë / trinjakë), është më e sigurtë për bebat që të kryhet lindja me operacion cezarian.
- Kur bebi është më i vogël nga sa pritej për javën e shtatzanisë (IUGR - intrauterine growth restriction)
Ka edhe raste kur operacioni cezarian nuk zgjidhet që në fillim, por lind si nevojë gjatë fillimit të aktivitetit të lindjes:
- Kur kordoni ombilikal është përreth qafës së bebit, duke paraqitur kështu një rritje të rrezikut gjatë aktivitetit të lindjes.
- Kur dilatacioni (hapja) i qafës së mitrës nuk shkon deri në fund.
- Kur kordoni ombilikal del përpara bebit jashtë qafës së mitrës (prolaps i kordonit).
- Kur ka një shkolitje të papritur dhe të menjëhershme të placentës nga pareti I mitrës (distako e placentës)
Lloji i anestezisë
Anestezia më e përdorur është ajo epidurale ose spinale. Preferohet më shumë epiduralja pasi mund ta përdorim deri edhe 48 orë pas operacionit ndërkohë që anestezia spinale ka efekt 4-6 orë, dhe për këtë arsye lind nevoja edhe për analgjezikë të tjerë për të luftuar dhimbjen post-operatore të 2 ditëve të para. Anestezia epidurale preferohet jo vetëm nga gjinekologët, por edhe nga mjekët pediatër. Në raste shumë të rralla (urgjenca ose kur anestezia epidurale apo spinale nuk indikohen) prdoret anestezia gjenerale.
Lloji i suturave
Suturat janë resorbabile dhe nuk lenë pasoja. Në raste shumë të rralla mund të ketë reaksione të padëshiruara nga saturat e përdorura (granulacione). Në lëkurë zakonisht përdoret suturë intradermike (e fshehur) e cila ka efekt estetik superior.
Kohëzgjatja e operacionit
Kohëzgjatja është 30-45 minuta.
Koha e rikuperimit
Pacientja zakonisht ngrihet në këmbë në 24-48 orët e para pas operacionit.
Ushqimi me gji
Nuk ka asnjë efekt negative të lindjes me operacion cezarian mbi ushqimin me gji të neonatit.
Komplikacionet e mundshme:
Si cdo intervent kirurgjikal, edhe operacioni cezarian mund të shoqërohet me komplikacione të padëshirueshme për pacienten dhe për ekipin operator. Për fat këto komplikacione janë shumë të rralla. Një pjesë e komplikacioneve janë:
- Infeksione
- Hemorragji
- Trombozë e venave të thella apo emboli pulmonare