Kanceri endometrial
Çfarë është?
Kanceri endometrial është ai që në gjuhën e përditshme quhet edhe kancer i mitrës (pavarësisht se ky term i fundit nuk përdoret nga mjekët). Endometriumi është shtresa që vesh kavitetin (zgavrën e mitrës). Kanceri endometrial ndodh kur qelizat endometriale fillojnë të rriten në mënyrë të pakontrolluar dhe kaotike. Është një kancer relativisht i shpeshtë dhe që zakonisht ndodh pasi femra ka hyrë në menopauzë dhe janë në një moshë më të madhe se 45 vjec.
Uterusi (mitra) është organi kryesor gjenital tek femra dhe që ka si funksion zhvillimin dhe ushqimin e fetusit gjatë 9 muajve të shtatzanisë. Mitra përbëhet nga një mur i trashë muskular të quajtur miometër dhe nga një shtresë e hollë që vesh kavitetin – Endometriumi. Endometriumi është shumë sensitiv ndaj hormoneve dhe pëson ndryshime ciklike gjatë ciklit menstrual.
Endometriumi është ndërtuar në mënyrë të tillë që të ofrojë / sigurojë ambientin ideal për vezën e fertilizuar në mënyrë që ajo të implantohet dhe të fillojë rritjen. Në rast se nuk ndodh shtatzania, atëherë endometriumi evakuohet (del jashtë) përmes menstruacioneve.
Hemorragjia që përjeton një femër gjatë menstruacioneve është e përbërë nga një përzierje mes shtresën endometriale, gjakut dhe mukusit.
Më shumë se 95% e rasteve me kancer të mitrës shfaqen në endometër. Për këtë arsye shpesh kur thuhet kancer uterin ( i mitrës) nënkuptohet kancer endometrial.
Përse formohet kanceri endometrial?
Megjithëse nuk njihet ende shkaku definitive i kancerit endometrial, ekzistojnë faktorë të ndryshëm që rrisin rrezikun që një femër të zhvillojë kancer endometrial. Këtu përfshihet mosha, obeziteti dhe të paturit e disa sëmundjeve si psh hipertensioni apo edhe diabeti. Gjithashtu është vënë re një rrezik më i lartë se mesatarja për të zhvilluar kancer endometrial tek femrat me menstruacione të çrregullta, tek ato të cilat u kanë ardhur menstruacionet më shpejt në jetë dhe që u kanë ikur më vonë.
Cilat janë shenjat e kancerit endometrial?
Kanceri endometrial ka sanse të mira mjekimi për shkak se simptomat e tij janë evidente që në stadet fillestare të sëmundjes. Shenja më e zakonshme është hemorragjia vaginale anormale ose e pazakontë dhe / ose rjedhja / sekrecionet me ngjyrë kafe të errët. Sidomos femrat që kanë hyrë në menopauzë, në momentin që përjetojnë shenja të tilla paraqiten relativisht shpejt tek mjeku gjinekolog duke bërë që kanceri të diagnostikohet në stadet e hershme. Dhimbja në fund të barkut apo prania e ndonjë mase të dukshme ekografikisht shfaqen në stadet e vonshme.
Si diagnostikohet kanceri endometrial?
Në rast se mjeku gjinekolog do të dyshojë praninë e një kanceri endometrial, atëherë ai do të kërkojë një seri testesh / ekzaminimesh me qëllim konfirmimin e diagnozës. Këtu përfshihen:
- Marrja e një historie familjare për sëmundjet gjinekologjike
- Marrja e historisë gjinekologjike personale të pacientes
- Marrja e historisë së ankesave që e kanë detyruar pacienten të paraqitet në konsultë.
- Ekzaminimi gjinekologjik
- Ekografia gjinekologjike
- Biopsia endometriale – Një pjesë e vogël e endometriumit merret përmes aspirimit të kavitetit me anën e kanulave të posacme të quajtura Pipelle ose përmes kyretazhit uterin. Ky material dërgohet për biopsi (ekzaminim histo-patologjik) me qëllim vërtetimin final te diagnozës.
Si trajtohet kanceri endometrial?
Trajtimi dhe prognoza varen shumë nga stadi në të cilin është diagnostikuar kanceri endometrial. Trajtimi përfshin kirurgjinë, radioterapinë, terapinë hormonale dhe kimioterapinë.
- Kirurgjia është trajtimi më i mirë kur kanceri është diagnostikuar në stadet fillestare.
- Radioterapia përdor rrezatim me energji të lartë nga rrezet X dhe Gamma për të eliminuar qeizat kanceroze. Efektet anësore të radioterapisë janë të shumta (përmendim si shembull menopauzën e parakohëshme). Vendimi për të përdorur radioterapi varet nga stadi i sëmundjes.
- Kimioterapia përdor medikamente të ndryshme anti-tumorale për të eliminuar qelizat kanceroze. Këto medikamente jepen në formën e tabletave ose në formën e injeksioneve intravenoze. Për të dhënë një efekt më të mirë, zakonisht jepen kombinime preparatesh kimioterapie. Efektet anësore të kimioterapisë janë të shumta. Këtu përmendim nauze, të vjella, debulesë, menopauzë e parakohëshme, rënie flokësh etj. Kimioterapia zakonisht rezervohet për stadet e avancuara ose për recidivate për shkak se nuk është aq efikase sa kirurgjia apo radioterapia.
- Terapia hormonale përdor medikamente me bazë progesteronin i cili ka si efekt ngadalësimin (por asgjë më shumë se kaq) të rritjes / shumimit të qelizave kanceroze. Këto medikamente jepen në formën e tabletave. Kjo terapi rezervohet për stadet e avancuara ose si komplementare e alternativave të tjera.
Sa janë shanset për mjekim?
Për fat të mirë, në shumicën e rasteve, kanceri endometrial, për shkak se diagnostikohet herët, ka shanse të mira mjekimi. Nqs flasim për stadet fillestare, 95-96% e pacienteve i mbijetojnë intervalit 5 vjecar ose më tepër se kaq. A mund të parandalohet?
Në mënyrë që të parandalohet shfaqja e kancerit endometrial apo vonesa në diagnozë femtrat duhet të ndjekin hapat e mëposhtme:
- Të raportojnë cdo episode anormal hemorragjie vaginale.
- Të kontrollojnë obezitetin, hipertensionin dhe diabetin.
- Përdorimi i kontraceptivëve oralë është parë se ul rrezikun për kancer endometrial.
- Nqs femrat janë duke marrë terapi zëvendësuese hormonale me estrogjenë në menopauzë, është mirë që ajo të balancohet edhe nga marrja e progesteronit në mënyrë që të nutralizohen efektet negative të estrogjenëve.
- Të kryejnë kontrolle periodike tek gjinekologu.