Dërguar nga:

Ekografia fetale 3D&4D

Çfarë është ekografia 3D/4D?

Shumica e ekografive gjatë shtatzanisë kryhen duke përdorur kontrollin konvencional 2-dimensional (2D), gjatë të cilit imazhi që shfaqet në ekran është vetëm 2-dimensional. Këto imazhe janë me ngjyrë gri, edhe pse ndonjëherë, mjeku nëpërmjet kësaj aparature të avancuar teknologjikisht mund të ndryshojë ngjyrën e fotos. Kjo lloj ekografie ofron maksimumin e informacionit klinik që i nevojitet mjekut obstetër.

Në vitet e fundit, ekografitë 3-dimensionale (3D) dhe 4-dimensionale (4D) janë bërë gjithnjë e më shumë popullore dhe gjithnjë e më shumë në dispozicion të pacientëve. Me ekografinë 3D, një seri seksionesh 2D rindërtohen në mënyrë dixhitale për të dhënë një pamje sa më reale.

Me ekon 4D, dimensioni i shtuar është koha, ndaj duket sikur pamjet 3D lëvizin në kohë reale. Pamjet 3D/4D shfaqen, zakonisht, në ngjyrë të artë në ekranin e ekografisë, duke qenë se kjo është një ngjyrë që shquhet lehtë nga pacientët dhe thekson tiparet e bebes.

Ekografia 3D/4D përdor ultratinguj ashtu si edhe ekografia konvencionale 2D, por kryhet një përpunim i mëtejshëm nga kompjuteri i imazheve 2D. Ekoja 3D/4D është po aq e sigurt sa ekografia konvencionale 2D dhe nuk ka asnjë të dhënë që ajo mund t’ju dëmtojë ju apo beben tuaj.

Ekoja 3D/4D ka një rol diagnostikues në obstetrikë, edhe pse ai është aktualisht i kufizuar në disa raste të veçanta. Për shembull, prindërit mund të kuptojnë më mirë një anomali, si buza e çarë, kur e shohin fëmijën e tyre në një imazh 3D, pasi pamja duket më reale. Zakonisht, situata të tilla vlerësohen së pari me hollësi nga ekografia konvencionale 2D.

Kjo është një prej arsyeve se përse është e rëndësishme që pamjet tuaja 3D/4D, si pjesë e ekzaminimit të përgjithshëm të fëmijës suaj, të përftohen nga mjekë obstetër të specializuar në morfologjinë fetale, të cilët do të kuptojnë çdo problem që mund të ketë bebja juaj.

Shumica e fotove 3D/4D të shtatzënisë bëhen më shumë për kënaqësinë e prindërve sesa për dobinë e tyre klinike. Prindërit duhet të informohen për kufizimet e ekos 3D/4D, kur kryejnë ekografinë.

Kur mund te kryhet ekografia 3D/4D?

Shumë prindër i gëzohen lidhjes që përjetojnë kur shohin beben e tyre në pamjet 3D/4D.

Ne synojmë të përftojmë pamje të qarta 3D/4D të foshnjës suaj gjatë shtatzënisë. Por më e rëndësishme për ne është të sigurohemi që bebja juaj të jetë i shëndetshëm e me zhvillim të mirë. Për këtë arsye, pamjet 3D/4D të fëmijës suaj nxirren shpesh në fund të ekzaminimit, pasi bebja është kontrolluar plotësisht në ekografinë 2D dhe janë kryer të gjitha matjet rutinë. Pamjet 3D/4D të foshnjës suaj duhet t’i shihni si një bonus të ekzaminimit dhe jo si qëllim kryesor i kontrollit. Në spitalin Hygeia ekografia 3D / 4D ofrohet që prej vitit 2009.

Koha më e mirë për të përftuar imazhe të qarta 3D/4D të bebes suaj është midis javës së 24 dhe javës së 34. Pamjet në fazat më të hershme të shtatzënisë (për shembull, në ekografinë morfologjike rutinë të javës 18-20) duken ndryshe nga fytyra e këndshme e bebes me faqe buçko që keni parë në TV apo nëpër artikuj revistash.

Bebet gjatë fazës së hershme të shtatzënisë nuk kanë të njëjtin nivel të indit adipoz subkutan. Kjo nënkupton që bebja juaj do të duket më pak “i mbushur” dhe më skeletik apo i dobët në pamjet 3D/4D. Shumë prindër ende kanë dëshirë t’i shohin këto pamje të hershme 3D/4D, sidomos kur fëmija e tyre lëviz. Imazhe të bukura dhe të qarta 3D/4D të bebes suaj, sidomos të fytyrës, shihen shpesh në ekografinë e tremujorit të tretë.

Që të marrim pamje të mira 3D/4D duhet që fëmija të “bashkëpunojë” dhe të ketë likid amniotik të mjaftueshëm përballë strukturës ku merret pamja. Disa bebe ngjishen pas mureve të uterusit ose placentës, apo mund t’i kenë krahët e duar të vendosura përpara fytyrës. Kjo e vështirëson ose e bën të pamundur përftimin e pamjeve 3D/4D. Është mirë që prindërit të presin që të shohin fëmijën e tyre tek rritet, por ata nuk duhet të zhgënjehen shumë nëse është e vështirë të përftohen imazhe 3D/4D.

Ky artikull është dërguar nga:
Ky artikull është lexuar 1283 herë
Artikuj të tjerë ne specialitetin Obstetrike-Gjinekologji
Sondazh

A do te kryenit një konsultë online me pagesë me një mjek?

Dergo voten