Ekografia morfologjike
Çfarë presupozon kontrolli ekografik në javët 18-22?
Tashmë shumica e grave shtatzana e kryejnë kontrollin ekografik obstetrikal në javët 18-22 të shtatzënisë. Qëllimi i kontrollit në javën e 18-22 është që të kontrollohet nëse fëmija ka zhvillim normal. Zakonisht, ky quhet kontrolli ekografik i morfologjisë fetale ose kontrolli i anomalive fetale. Thjesht ekografi morfologjike fetale ose ekografia e anomalive.
Ky kontroll kryhet me qëllim që të shihet nëse ka anomali të rritjes dhe zhvillimit strukturor të fëmijës, si spina bifida (shtylla e hapur kurrizore) ose anomali të zemrës dhe për të kontrolluar pozicionin e placentës.
Për një shtatzanë, Të shohë fëmijën në ekran është moment mjaft entuziazmues dhe emocional. Partneri dhe fëmijët e tjerë janë të mirëpritur për të ndarë këtë përvojë me të. Shumë çifte duan të dinë seksin e fëmijës së tyre dhe të marrin disa foto. Është me rëndësi, sidoqoftë, të kihet parasysh se qëllimi kryesor i këtij kontrolli është të shihet nëse ka anomali.
A duhet cdo paciente të kryejë një kontroll në javët 18-22?
Asnjë kontroll obstetrikal nuk është i detyrueshëm gjatë shtatzënisë. Është pacientja që zgjedh. Por rekomandimet janë që cdo femër shtatzanë duhet ti nënshtrohet një ekografie të tillë.
Çfarë do të mund të shihet?
Nëse nuk është kryer ende ndonjë ekografi gjatë kësaj shtatzënie, mjeku obstetër fillimisht do të shohë nëse keni vetëm një fëmijë dhe do t’ju konfirmojë datën kur do të lindni. Ai do të tregojë rrahjet e zemrës dhe pjesë të fëmijës, si fytyra dhe duart, përpara se ta shohë fëmijën me hollësi. Ekografia morfologjike zgjat rreth 15-20 minuta.
Çfarë kontrollohet në kontrollin e javëve 18-22?
Gjatë kësaj ekografie ekzaminohet fetusi nnë mënyrë të detajuar nga lartë poshtë. Organet e brendshme të bebes ekzaminohen nëpërmjet seksioneve tërthore / longitudinale / oblike, të cilat janë të vështira për t’u kuptuar nga pacientja. Në eko, kockat duken të bardha, lëngu i zi dhe indet e buta duken në ngjyrë gri dhe me njolla.
- Koka ekzaminohet e para, zakonisht, për të pare formën dhe strukturat e brendshme. Disa probleme të rënda të trurit janë të dukshme në këtë fazë. Mjeku obstetër kontrollon fytyrën e fëmijës, për të parë nëse ka ndonjë çarje në buzë, por çarjet e qiellzës brenda gojës së bebes janë më të vështira për t’u parë dhe, shpesh, nuk kapen nga ekografia.
- Shtylla kurrizore kontrollohet në pamje gjatësore dhe tërthore, për t’u siguruar që të gjitha vertebrat të jenë të puthitura me njëra tjetrën dhe që shtylla kurrizore mbulohet nga lëkura në pjesën e pasme. Pareti abdominal i bebes kontrollohet, gjithashtu, për t’u siguruar që mbulon të gjitha organet e brendshme në pjesën e përparme.
- Zemra kontrollohet për të parë madhësinë dhe formën. Dy dhomat e sipërme ose “veshoret” dhe dy dhomat e poshtme ose “barkushet” duhet të jenë me përmasa të barabarta dhe valvulat duhet të hapen e të mbyllet për secilën rrahje të zemrës.
- Stomaku duhet të jetë i dukshëm poshtë zemrës. Bebja gëlltit një pjesë të likidit amniotik në të cilin pluskon. Kjo bën që stomaku të shihet si flluskë e zezë.
- Veshkat. Mjeku ekograf kontrollon nëse fëmija ka dy veshka dhe nëse urina rrjedh lirisht në fshikëz. Nëse fshikëza është e zbrazur, ajo duhet të mbushet gjatë kontrollit të ekos dhe do të jetë më lehtë për t’u parë – fëmija ka filluar, që prej disa muajsh, të urinojë çdo gjysmë ore!
- Duart dhe këmbët ekzaminohen dhe shikohen gishtat e duarve dhe të këmbëve.
- Placenta, kordoni ombilikal dhe likidi amniotik kontrollohen të gjitha.
- Placenta mund të jetë në murin e përparmë apo të pasmë të mitrës, zakonisht sipër (ose fundus), ndaj mund të përshkruhet si "fundike" në raportin e ekos. Disa placenta përshkruhen si “previa", pasi arrijnë deri poshtë apo mbulojnë qafën e mitrës (cerviksin). Nëse placenta është previa, një ekografi tjetër do të programohet për tremujorin III, kohë në të cilën një pjesë e mirë e placentave largohen nga cerviksi.
- Mund të numërohen tri enët e gjakut në kordonin e kërthizës.
- Duhet të ketë sasi të mjaftueshme të lëngut amniotik që rrethon beben dhe e lejon të lëvizë lirisht në këtë fazë.
Ç’hollësi të tjera mund të kontrollohen?
Nëse ka një historik lindjesh të parakohshme apo një abort në fazë të vonë, mund të kryhet një kontroll për matjen e qafës së mitrës nëpërmjet ekos transvaginale.
Çfarë matet gjatë kontrollit të javëve 18-22?
Kryhen matjet e perimetrit të kokës (HC) dhe diametrit biparietal (BPD), së bashku me perimetrin abdominal (AC) dhe gjatësinë e femurit apo kockën e kofshës (FL) për t’u siguruar për zhvillimin normal të fëmijës dhe që përmasat janë në përputhje me moshën e shtatzënisë.
Cilat anomali mund të shihen nga ekografia e javëve 18-22?
Rreth gjysma e të gjitha anomalive madhore do të shihet gjatë kontrollit në eko, ndërsa gjysma tjetër jo. Ndaj, edhe nëse kontrolli rezulton normal, ka një mundësi të vogël që bebja ende të ketë një problem. Disa probleme, si defektet në zemër dhe bllokimet e zorrëve mund të mos jenë të dukshme deri në fund të shtatzënisë.
E tregon ekografia seksin e fëmijës?
Pas 14 javësh, seksi i fëmijës është shpesh i qartë.
Persh, a mund te evidentohet ne kete eko nese femija ka sindromen down? Flm
Dërguar nga eri, më 21 Janar 2015 në 07:33